Sat, Sep 20, 2025

Kur tradita “flirton” me pushtetin

  • PublishedSeptember 20, 2025

Kur tradita “flirton” me pushtetin

NGA BESIM MULAJ 

Në pallatin mbretëror Windsor u zhvillua një ceremoni madhështore: tapete të kuqe, protokoll i përpiktë dhe fluturime mbresëlënëse të Forcave Ajrore Mbretërore britanike. Donald Trump, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, u mirëprit nga Mbreti Charles në një atmosferë që bashkoi solemnitetin e traditës me dimensionin politik të vizitës.

Pamjet të ndjekura gjerësisht në mediat botërore, theksuan kontrastin interesant mes vazhdimësisë së monarkisë britanike dhe stilit të veçantë të lidershipit amerikan. Ky episod ilustron se diplomacia moderne nuk kufizohet vetëm në vendime politike, por shoqërohet gjithnjë e më shumë nga elementë simbolikë dhe ceremonialë, ku tradita dhe mesazhi politik plotësojnë njëra-tjetrën.

Monarkia britanike nuk ushtron më pushtet ekzekutiv real, por mbetet një faktor me peshë në planin diplomatik, duke e tejkaluar dimensionin thjesht ceremonial. Walter Bagehot, që në vitin 1867 në “The English Constitution”, shpjegonte se Kurora luan një rol thelbësor përfaqësues, duke bashkuar kombin dhe duke dhënë legjitimitet institucional marrëdhënieve të jashtme. Pritja e një kreu shteti të huaj në Windsor nuk është vetëm ritual: është një mënyrë për të dhënë një njohje ndërkombëtare, për të vendosur një vulë historike mbi një marrëdhënie dypalëshe. Kjo tregon atë që Joseph Nye e quan soft power: fuqia për të ndikuar përmes imazhit dhe admirimit, jo vetëm përmes forcës. Mbretëria e Bashkuar, e dobësuar politikisht nga Brexit, vazhdon të ushtrojë ndikim falë aftësisë për të magjepsur përmes traditave të saj dhe për të kapitalizuar mbi trashëgiminë monarkike. Imazhi i një Trump-i të buzëqeshur, i nderuar nga ushtria britanike dhe i pritur në kështjellën e Windsor-it, e ilustron këtë teori: i jep Mbretërisë së Bashkuar një dukshmëri ndërkombëtare dhe Trump-it një legjitimitet që asnjë fjalim politik nuk do t’ia siguronte.

Nga ana amerikane, prania e Trump në Windsor ndjek një logjikë tjetër, por plotësuese. Siç kanë treguar Cas Mudde dhe Cristóbal Rovira Kaltwasser, populizmi e vendos “popullin e pastër” kundër “elitave të korruptuara” dhe ushqehet nga një marrëdhënie direkte midis liderit dhe mbështetësve të tij. Trump mishëron këtë qëndrim duke refuzuar shpesh kodet e vendosura, duke kritikuar institucionet ndërkombëtare, duke kërcënuar të reduktojë angazhimin amerikan në NATO apo duke kundërshtuar marrëveshjet multilaterale. Megjithatë, në mënyrë paradoksale, ai përfiton nga njohja institucionale që merr gjatë ceremonive si ato të Windsor-it. Siç thekson Jan-Werner Müller, populizmi sulmon elitat, por nuk mbijeton pa vëmendjen dhe dukshmërinë që vjen prej tyre. Pritja mbretërore bëhet kështu një mjet politik.

Për Mbretërinë e Bashkuar, është një mënyrë për të treguar se marrëdhënia speciale me Uashingtonin i tejkalon personalitetet dhe mbështetet në një aleancë të qëndrueshme. Për Trump, është një mënyrë për të dëshmuar ndaj elektoratit të tij se ai respektohet në skenën botërore, se stili i tij atipik nuk e pengon të konsolidoje legjitimitet ndërkombëtar. Kjo simbiozë kujton atë që Guy Debord quante në La société du spectacle: një politikë e shndërruar në imazh, ku perceptimi publik vlen po aq, në mos më shumë, sesa realiteti i vendimeve. Por ky episod nuk kuptohet vetëm përmes prizmit të komunikimit. Ai shpreh gjithashtu një përshtatje strategjike nga të dyja palët. Mbretëria e Bashkuar, e brishtë pas Brexit-it, ka nevojë të forcojë ankorimin transatlantik.

Shtetet e Bashkuara, edhe nën presidencën e Trump, mbeten partneri ushtarak dhe ekonomik prioritar. Siç shënon Robert Kagan, Evropa dhe Amerika kanë vizione të ndryshme të pushtetit – njëra favorizon diplomacinë, tjetra forcën – por aleanca e tyre mbetet përcaktuese. Windsor ilustron paradoksin: monarkia evropiane dhe populizmi amerikan arrijnë të komunikojnë përmes gjuhës së ceremonisë. Mediatizimi i këtij takimi nënvizon rëndësinë e tij. Pamjet e transmetuara, të analizuara dhe të komentuara pafundësisht, kontribuojnë vetë në ndërtimin e ngjarjes. Francis Balle, në Médias et sociétés, kujton se mediat nuk mjaftohen të raportojnë: ato e shndërrojnë faktin në një rrëfim kolektiv dhe i japin atij një domethënie simbolike. Kështu, Windsor nuk është thjesht një darkë shtetërore; është një rrëfim mediatik ku përplasen dhe bashkohen dy univers politikë.

Madhështia monarkike jep një ndjenjë vazhdimësie qetësuese, ndërsa prania e Trump kujton ashpërsinë e ndryshimeve politike dhe tensioneve populiste. Ngjarja shndërrohet në një skenë globale, ku simbolika diplomatike dhe ndikimi mediatik përforcojnë njëra-tjetrën. Përtej ceremonisë zyrtare, ky episod nxjerr në pah një ekuilibër të ndjeshëm. Monarkia britanike, si institucion historik, ruan rolin e saj të qetë, por domethënës, në mbrojtjen e dinjitetit dhe stabilitetit. Nga ana tjetër, populizmi trumpian, me gjithë natyrën e tij sfiduese, përfiton nga ky prestigj institucional për të forcuar profilin e tij politik. Diplomacia sot shtrihet përtej marrëveshjeve: ajo ndërtohet edhe mbi simbole, rrëfime dhe perceptime. Aleanca transatlantike, pavarësisht tensioneve, e ilustron këtë realitet. Ajo ndërtohet si mbi interesa strategjike, ashtu edhe mbi rituale simbolike që e mbajnë gjallë. Windsor kujton se, edhe në epokën e populizmit, traditat vazhdojnë të luajnë një rol kyç në politikën botërore.

Siç shkruan Nye, fuqia e një vendi varet po aq nga forca ushtarake sa edhe nga aftësia për të joshur dhe për të ndikuar. Dhe siç thekson Francis Balle, ky ndikim kalon tashmë përmes mediave: një ngjarje bëhet reale vetëm kur shihet, shpërndahet dhe komentohet. Pritja e Trump në Windsor shkon përtej një protokolli të zakonshëm. Ajo pasqyron një realitet të diplomacisë bashkëkohore, ku tradita monarkike mbështet aleancat, populizmi fiton legjitimitet nga institucionet dhe mediat i japin çdo gjesti një vlerë simbolike. Ky episod dëshmon se sot diplomacia është po aq skenografi sa është edhe strategji.

/Gazeta Panorama