Sun, Sep 21, 2025

Mozaiku i kujtesës: Lufta për të mbajtur gjallë historinë e institucioneve në Durrës

  • PublishedSeptember 21, 2025
Mozaiku i kujtesës: Lufta për të mbajtur gjallë historinë e institucioneve në Durrës

Mjeku Bashkim Habibi, sot 83 vjeç, vazhdon të mbajë të veshur bluzën e bardhë, ndërsa paralelisht gjen kohë për një tjetër pasion të shkruarit e historisë së shëndetësisë në qytetin e tij.

Gjatë 17 viteve ai ka botuar tre libra, më i fundit me titull: “Historiku i Spitalit të Durrësit”, një vepër që u mirëprit nga kolegët dhe intelektualët e qytetit bregdetar.

Megjithatë, gëzimin për këtë botim e shoqëron edhe një hije keqardhjeje. Në promovimin e librit munguan drejtuesit aktualë të spitalit.

“Shtatë drejtorë kanë ardhur e ikur në gati dy dekada, por askush nuk ka treguar interes për hartimin e historikut të spitalit që ata vetë kanë drejtuar,” tha Habibi për BIRN, duke shtuar se i vetmi mbështetës në këtë udhëtim ka qenë bashkëshortja e tij, Desdemona.

Mungesa e vëmendjes nga spitali nuk është një rast i izoluar. Ndërmarrjeve dhe institucioneve të Durrësit u mungojnë historikët, që pasqyrojnë veprimtarinë e tyre shumëvjeçare.

Librat e pakët që janë hartuar me këtë qëllim, në shumicën e rasteve mbajnë firmën e punonjësve të pasionuar, që kanë dalë në pension, ndërsa drejtuesit e institucioneve nuk dëshmojnë asnjë interes për të kaluarën e ndërmarrjeve që janë ngarkuar të drejtojnë.

Mungesa e vëmendjes për formulimin e historikëve që pasqyrojnë aktivitetin e ndërmarrjeve të qytetit antik ndjehet sidomos në sipërmarrjet e hershme, si fabrika e cigareve STAMLES-I apo Kantieri Detar.

“Dokumentacioni i këtij të fundit humbi pas një zjarri që dogji thuajse gjithçka që lidhej me të kaluarën e ndërmarrjes, ku jo vetëm u riparuan, por për gjashtë dekada edhe u ndërtuan anije të tonazheve të mesme dhe të vogla,” tha për BIRN drejtori i Arkivës Shtetërore Vendore, Lorenc Agalliu.

Ai shtoi se Arkiva e Durrësit është një nga katër arkivat rajonale të vendit, ndërsa shumica e materialeve ndodhen në Drejtorinë e Përgjithshme Kombëtare në Tiranë.

“Në të njëjtën arkivë janë shtuar së fundi edhe dokumentacionet e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes,” tha Agalliu, i cili vazhdon t’i nxisë të pasionuarit që t’i shfletojnë ato.

“Janë ende të pakët studiuesit nga Durrësi që i vlerësojnë dokumentacionet e arkivës, megjithëse aty gjen material pa fund, sidomos nga fondi pas viteve 1945”, shpjegoi ai.

Drejtuesi i Arkives Lorenc Agalliu

Në bibliotekën e qytetit, veç historikut të Spitalit, gjen pesë historikë të tjerë, të botuar për disa prej shkollave 8-vjeçare dhe të mesme të qytetit.

Një nga kontribuesit kryesorë të arsimit, dr. Astrit Hoxha i ndjerë, e ka shtuar fondin e librit me dy historikë kushtuar “Shkollës Naim Frashëri” dhe “Sistemit arsimor të rrethit”.

Por edhe në rastet kur historikët e institucioneve dhe ndërmarrjeve botohen, shpërndarja e tyre mbetet e kufizuar.

“Kur një institucion boton një historik, shpesh është një botim i brendshëm, me tirazh shumë të vogël, që nuk shpërndahet gjerësisht, prandaj nuk arrin në bibliotekat publike,” tha për BIRN Teuta Dhima, punonjëse e bibliotekës.

Dhima thekson se institucionet zakonisht përqendrohen te aktiviteti i përditshëm, jo te dokumentimi i trashëgimisë së tyre.

“Shpesh mungon vullneti ose burimi financiar për të financuar një libër të tillë,” shtoi ajo.

Sipas punonjëses së bibliotekës, historia e qyteteve shihet përmes ngjarjeve të mëdha politike ose kulturore, ndërsa historitë e institucioneve (shkolla, shoqata, spitale) mbeten në hije, edhe pse ato janë pjesë thelbësore e mozaikut të jetës urbane.

Në pamundësi për të hartuar një historik, punonjësit në pension kërkojnë nga drejtuesit krijimin e muzeve, siç ndodhi me Flotën Detare Tregtare, por thuajse në asnjë rast nuk ia kanë arritur qëllimit.

Duke iu rikthyer rëndësisë që ka arkiva për të njohur historinë e qytetit apo zonave rurale, Lorenc Agalliu sjell rastin e vendimit të këshillit popullor të fshatit Radë, i cili në vitet 1960 e quajti kooperativën e zonës me emrin “Kina e re”, apo urdhëresat që ndalonin vënien e emrave të përveçëm si Shejtan apo Zhelezno në vitet ’70.

Teuta Dhima ndjehet mirë që këto ditë në bibliotekën e Durrësit do të instalohet sistemi i dixhitalizuar i të dhënave arkivore nga Drejtoria e Përgjithshme.

Më pas ajo ndalet përsëri te libri me 250 faqe nga dr. Bashkim Habibi, që po fiton mbështetjen e lexuesve.

Arkiva e qytetit te Durresit

Autori e fillon udhëtimin e këtij historiku me mjekët e Durrësit mesjetar, që nga shekulli i 15-të e më pas shek. i 18-të, dhe numri i të dhënave për rreth 170 mjekë rritet së tepërmi për vitet 1900-2000.

Fotot e shfrytëzuara arrijnë në 1.042, një numër rekord, dhe autori bën kujdes që të botojë mes tyre edhe 99 foto me shënimin: “Punonjës të Spitalit për të cilët nuk është e bërë e mundur gjetja e emrave”.

“Çdo historik i një institucioni është në vetvete një copëz e mozaikut të kujtesës së qytetit,” tha Dhima.

“Kur këto mungojnë, historia mbetet e cunguar,” përfundoi ajo.