Angela Martini shpërthen ndaj Fatmir Hysenbelliut: Kisha lidhje me të, e lashë pas 2 javësh
Angela Martini, ka hedhur akuza të forta në drejtim të mediave shqiptare dhe veçanërisht ndaj familjes Hysenbelliu, të cilët sipas saj kanë ushtruar presion, kanë manipuluar narrativën mediatike dhe kanë tentuar të bllokojnë imazhin e saj publik. Në një seri postimesh në Instagram, Martini tregoi se gjithçka nisi shumë vite më parë me një reklamë për një kompani alkooli në Shqipëri, e cila sipas saj u përdor abuzivisht pa pagesë edhe pasi kompania ndryshoi pronarë. Ajo tha se iu desh të përfshinte avokatë dhe të padiste kompaninë për të ndalur përdorimin e imazhit të saj. Por sipas saj, çështja nuk u ndal këtu. Angela Martini deklaron se mediat e kontrolluara nga familja Hysenbelliu kanë nisur ta bllokojnë, duke fshirë qindra artikuj për të dhe duke ushtruar presion tek botime të tjera që të mos i jepnin hapësirë.
“Ata zotërojnë një sërë botimesh, të mëdha e të vogla, që kontrollojnë plotësisht narrativën. Nga frustimi, ata jo vetëm që më shkëputën plotësisht nga kanalet e tyre, por ushtruan presion edhe ndaj pronarëve të tjerë mediash që të më bllokonin,” – shkruan Angela.
Më pas, ajo kaloi në një rrëfim personal, duke përmendur një marrëdhënie të shkurtër të para shumë viteve me Fatmir Hysenbelliu, djalin e pronarit të “Panorama”-s. Martini thotë se marrëdhënia zgjati më pak se dy javë dhe përfundoi shpejt pasi kuptoi që nuk kishte asnjë të ardhme.
“Vetëm më vonë mësova se ai kishte një të dashur në atë kohë, një vajzë shumë të bukur, të cilën e tradhtoi për të qenë me mua. Ai kurrë nuk më tregoi që ishte me të dhe unë e zbulova vetëm pasi kisha ndërprerë çdo gjë mes nesh,” – shprehet ajo.
Angela Martini pretendon se sjellja e sotme e familjes Hysenbelliu ndaj saj është e lidhur edhe me këtë histori personale. Sipas saj, Fatmir Hysenbelliu nuk e ka përtypur dot që ajo e la dhe se kjo ka lënë një “frustrim të thellë” që e shoqëron edhe sot.