Dua Lipa ndërpret bashkëpunimin me agjentin pas letrës kundër grupit pro-Palestinë
Dua Lipa ka marrë një vendim që ka bërë bujë jo vetëm në botën e muzikës, por edhe në qarqet politike. Këngëtarja me famë botërore ka ndërprerë bashkëpunimin me agjentin e saj, David Levy, pas një veprimi të tij që u pa si i lidhur ngushtë me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Levy, figurë kyçe e agjencisë prestigjioze WME, ishte mes nënshkruesve të një letre dërguar organizatorëve të festivalit të Glastonbury, ku kërkohej që grupi irlandez Kneecap të mos lejohej të performonte. Arsyeja lidhej me aktivizmin e hapur të grupit pro-Palestinë. Megjithatë, kërkesa nuk u mor parasysh dhe grupi doli në skenë, ndonëse performanca e tyre nuk u transmetua nga BBC, gjë që u interpretua si një formë presioni.
Ky veprim i agjentit nuk kaloi pa pasoja. Sipas mediave britanike, Dua Lipa e konsideroi nënshkrimin e Levy-t si një akt politik pro Izraelit dhe kundër të drejtave të palestinezëve – një kauzë të cilën ajo e ka përkrahur publikisht prej vitesh. Vendimi për ta shkarkuar u mor si një qëndrim i qartë se artistja nuk do të tolerojë bashkëpunëtorë që bien ndesh me vlerat e saj.
Këngëtarja kosovaro-britanike është shprehur vazhdimisht kundër dhunës në Gaza dhe ka bërë thirrje për armëpushim humanitar. Duke ruajtur marrëdhënien me WME, por jo me Levy-n, ajo dërgon një mesazh të fortë për industrinë: artistët kanë të drejtë të distancohen nga çdo përfaqësues që nuk respekton kauzat që ata mbrojnë.