Sërish si një “Rilindje Kombëtare Shqiptare”
NGA VISAR ZHITI
Nuk është vetëm lajm i bukur, por edhe ngjarje jo vetëm kulturore, por edhe rilindase… Lexoj: Të martën, më 23 shtator 2025, ora 18:00, ju ftojmë në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune në Bukuresht, për promovimin e vëllimit “Rilindja Kombëtare Shqiptare: 1878–1912”, të prof. Stavro Skendi, në përkthimin e dr. Radu Sãvulescu-t. E konsideruar si një nga veprat më të cituara në literaturën e specializuar, libri i profesor Stavro Skendit përfaqëson një kontribut themelor në historiografinë shqiptare dhe ballkanike. I botuar fillimisht nga Princeton University Press (SHBA), në vitin 1967, me titullin “The Albanian National Awakening, 1878–1912”, ky studim është rezultat i një hulumtimi të kujdesshëm dhe është bërë vepër referuese në studimet e albanologjisë dhe të historisë krahasuese.
Profesori Stavro Skendi (1905–1989) njihet si një nga albanologët më të rëndësishëm të shekullit XX, i mbiquajtur “dekani i studimeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara”. Vepra e tij përfshin tituj si “Poezia epiko-gojore shqiptare dhe e sllavëve të jugut” (1954, 1969), “Studime kulturore ballkanike” (1980), si edhe dhjetëra artikuj të botuar në revista akademike prestigjioze si “The American Historical Review”, “Foreign Affairs” apo “Political Science Quarterly”. Kontributet e tij shtrihen në fusha të ndryshme – histori, gjuhësi, letërsi, fe, shkenca politike dhe kulturë, duke u vlerësuar për rreptësinë shkencore, ndërdisiplinaritetin dhe thellësinë.
Përkthimi në gjuhën rumune është botuar nga Shtëpia Botuese “Asdreni”, në bazë të një marrëveshjeje të lidhur ndërmjet Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) dhe Princeton University Press dhe është realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Rumanisë, përmes Departamentit për Marrëdhënie Ndëretnike, që ofron fonde për organizatat e qytetarëve që u përkasin pakicave kombëtare. Hyrja për publikun është e lirë, në limitet e vendeve të disponueshme dhe secili nga pjesëmarrësit do të marrë falas një kopje të librit.
* * *
Më mrekullon e gjithë ajo që shkruan dr. Luan Topçiu në Bukuresht. Është vepër dhe punë, përzgjedhje, mençuri, akt, jo vetëm për diasporën shqiptare në Rumani, por për të gjitha diasporat tona në botë e patjetër dhe për dheun amë…
“Libri jepet falas” – lexoj. Vërtet mision rilindas, dashuri për kulturën, lexuesit, vepra do të shkojë në të gjitha bibliotekat e Rumanisë e në katedrat letrare e panairet e librit kudo…
“RENASTEREA NATIONALà ALBANEZÔ
E përktheu nga anglishtja në rumanisht dr. Radu Sãvulescu, Presidenti i Shoqatës së Shqiptarëve në Rumani, një intelektual i lartë, studiues dhe përkthyes i mjaft veprave të tjera për Shqipërinë.
“Hyrja për publikun është e lirë” – lexoj, dyert janë të hapura, pa roje akademike e veçime intelektualiste… dhe e di që do të venë plot njerëz të kulturës, letërsisë dhe arteve, shkrimtarë, studiues, studentë, lexues, dashamirës etj., por a do të ketë përfaqësues zyrtarë të Shqipërisë?
“KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR”
Në studimin tim për “Letërsinë tjetër”, atë që erdhi nga ndalesat e diktaturës komuniste dhe harrimet zyrtare, nga burgjet dhe internimet dhe nga diaspora si qëndresë dhe kulturë dhe moral, kur sundonte Realizmi Socialist, në “Kartela të Realizmit të dënuar” është dhe ajo e patriotit dhe luftëtarit Stavro Skendi, që pushtuesi fashist e internoi në ishujt e trishtë të Italisë:
Stavro Skendi (1905 – 1989)
…shqiptar tjetër i Ventotene-s, mik dhe ky me ideatorët e Europës së Bashkuar, i internuar si kundërshtar aktiv i pushtimit italian, që, me t’u liruar nga ishulli plot erëra i dhembjes, shkon të vazhdojë luftën për çlirimin e vendit, bashkohet me Ballin Kombëtar.
Kishte studiuar në shkollën amerikane të Stambollit, në Robert College, (Gjej se aty më vonë është diplomuar dhe shkrimtari Orhan Pamuk, nobelisti i parë turk), pastaj kryen universitetin për studime ndërkombëtare në Gjenevë. Kthehet në atdhe dhe jep leksione në shkollën tregtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore bashkohet me frontin e Ballit Kombëtar. Komunistët nuk mund t’ia falnin këtë, aq më tepër që ai ishte kundër revolucioneve, por për evolucionet, për zhvillimin shkencor dhe kulturor të Shqipërisë. Shkon në SHBA në vitin 1946, punon në Columbia University, i përkushtohet Albanologjisë, boton studime dhe libra për Shqipërinë, për ekonominë dhe politikën e izolimit, Rilindjen, alfabetin, poezinë e letërsinë më gjerë, në Ballkan, etj.. Jeta e tij përmbledh 8 dhjetëvjetësha të historisë së vendit, Shpalljen e Pavarësisë, mbretërinë, Luftën e Dytë Botërore, vendosjen e komunizmit, që ai e shikon si tragjedi kombëtare dhe emigracionin, veprimtaritë e diasporës. E trondit dhe e dëshpëron së tepërmi mbyllja e atdheut, shtypja që u bëhej intelektualëve dhe artistëve si gjithë popullit. Vdes në Nju Jork, atë vit kur do të shembej Muri i Berlinit dhe do të fillonte të binte perandoria komuniste dhe diktatura në atdhe.
* * *
“ZGJIMI KOMBËTAR SHQIPTAR”
A është botuar në Shqipëri vepra “The Albanian National Awakening, 1878– 1912”
A është përkthyer?
A DINË GJË STUDENTËT PËR PROFESOR STAVRO SKENDIN?
– Po patronazhistët?
– Çfarë thuhet në universitet tona?
Flasin pedagogët për atë? Kritikët e letërsisë, a i referohen siç bëjnë studiuesit nga bota? Po shoqatat në diasporë… Po patronazhistët, apo thjesht e shohin si ballist?!
Siç duket, janë më interesante studimet për gjellët e Ballkanit, ato serbe e greke sidomos, që kanë gatuar dhe me kokat e shqiptarëve…
Mos Stavro Skendin e shohin si të arratisur politik nga regjimi, ashtu siç e dinë ata, të mësuar nga filmat e socializmit me ballistë e diversantë, grotesk dhe absurd i vetvetes, por gjithsesi mendimi kritik edhe këtej, atë që la trashëgim Konica e Noli e Profesorët Stavro Skendi e Arshi Pipa e bashkëpunëtorë të tyre në “Diellin” që i bashkonte, ka gjetur vazhdimësi e dinjitet, ka krijuar një peizazh të ri të fjalës shqipe, pavarësisht shfaqjes së ndonjë rudimenti patronazhist, fare pa rëndësi. Tani ata kanë porosi dhe prapavijë të njohin letërsinë shqipe me Inteligjencë Artificiale dhe rrëmojnë si hiena në realizmin socialist për të gjetur ushqim dhe vjellin vrer mbi zhvillimet e reja dhe demokracinë dhe atdheun. Por, është bjerrje kohe të merresh me ta, që të duan si veten. Më rëndësi ka ajo recensa e thjeshtë me pak rreshta e Dr. Luan Topçiut në ftesë për veprën e albanalogut shqiptaro-amerikan Stavro Skendi se e gjithë ajo ç’nxijnë në artikuj e libra me AI kundër tij dhe ç’përfaqëson dhe mbart Profesori.
THE ALBANIAN NATIONAL AWAKENING
1878–1912
– Princeton University Press, 1967
– Kur Stavro Skendi botonte veprën madhore në SHBA, ç’ndodhte në atë vit, 1967, në Shqipërinë tonë? Ç’drama historike dhe kulturore?
– Diktatori Enver Hoxha konsolidoi edhe më pushtetin absolut të Partisë së Punës, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik (1961) dhe afrimit me Kinën maoiste.
– Shqipëria mbeti vendi më i izoluar i Europës.
– Nisën spastrimet e brendshme politike kundër “armiqve të brendshëm” dhe intelektualëve që nuk përputheshin me vijën ideologjike. Ngjarja më e bujshme kulturore-politike e vitit 1967:
– Shpallja e Shqipërisë si “shteti i parë ateist në botë”.
– U ashpërsua fushata famëkeqe kundër fesë, u mbyllën të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, manastiret, u kthyen në magazina, kinema, stalla e depo “kulture”.
– U ndez dhe më Revolucioni Ideologjik dhe Kulturor”, i frymëzuar nga Revolucioni Kulturor i Kinës së Mao Ce Dunit.
– U goditën Kanunet madhore kombëtare, tradita, dasmat dhe ceremonitë, u kontrollua mënyra e veshjes, si duhej të qetheshe, madje edhe marrëdhëniet familjare.
Ironia historike:
Në të njëjtin vit, pra, prof. Stavro Skendi botoi në “Princeton” veprën madhore “The Albanian National Awakening, 1878– 1912”, ku trajtonte Rilindjen Kombëtare dhe rolin e fesë, kulturës dhe letërsisë në ringjalljen e kombit shqiptar. Ndërsa brenda vendit trumpetohej “fitorja” e komunizmit mbi kulturën dhe fenë, në Perëndim studimi i Skendit i jepte Shqipërisë një prestigj intelektual. Tregonte zhvillimin e vetëdijes kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Prizrenit (1878) deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912).
Skendi nuk i pa thjesht si një seri ngjarjesh politike, por si një proces kulturor, gjuhësor, letrar dhe shoqëror, ku letërsia, gjuha dhe shtypi luajtën rol të madh në formimin e kombit. Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet shkrimtarëve të Rilindjes:
Naim Frashëri, i parë si poeti profet i kombit. Çajupi, Sami Frashëri, Jeronim De Rada etj.. Skendi tregon sesi shkrimtarët nuk ishin vetëm autorë letrarë, por edhe udhëheqës shpirtërorë e kulturorë. Është e para monografi e plotë në anglisht mbi Rilindjen Shqiptare, që ende shihet si libër klasik dhe citohet shpesh në studimet mbi Ballkanin. Kjo vepër e vendosi çështjen shqiptare në hartën e studimeve akademike ndërkombëtare. Pa Skendin, shumë studiues të huaj nuk do të kishin kuptuar mirë si u formua Kombi Shqiptar…
Lutem të mos e deformojmë kohën dhe veten!
/Gazeta Panorama