“Black And Blue” rikthehet pas dekadash, Rolling Stones surprizojnë fansat
Grupi Rolling Stones ka njoftuar ribotimin e albumit të tyre legjendar të vitit 1976, Black And Blue, duke u ofruar fansave një vështrim unik në historinë e grupit.
I publikuar fillimisht në prill të vitit 1976, Black And Blue ishte albumi i 13-të në studio i Rolling Stones dhe i pari që nga largimi i kitaristit Mick Taylor, i cili përfundimisht u zëvendësua nga Ronnie Wood. Regjistrimet e albumit u përdorën si audicion për një kitarist të ri, duke rezultuar në pjesëmarrjen e muzikantëve të mëdhenj si Harvey Mandel, Wayne Perkins, Jeff Beck dhe Robert A. Johnson.
Edicioni i ri, i cili do të dalë në shitje më 14 nëntor nëpërmjet Universal, do të jetë i disponueshëm në një Super Deluxe Box Set në dy versione, vinil dhe CD, dhe do të shoqërohet nga një libër prej 100 faqesh dhe një kopje të posterit të turneut të Rolling Stones për të promovuar albumin.
Përveç kësaj, ribotimi përfshin një intervistë me Ronnie Wood, i cili kujton momentin kur iu bashkua grupit në vitin 1976: “Pikërisht aty duhej të isha”, vëren ai, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj faze në karrierën e tij dhe në historinë e Rolling Stones.
Ribotimi i albumit Black And Blue premton të rikthejë në plan të parë epokën kur grupi po eksperimentonte me tinguj të rinj dhe t’u ofrojë fansave mundësinë për të rijetuar këtë periudhë klasike të muzikës rock.