Fri, Oct 3, 2025

Barça rrëmben kreun, “thyen” Sociedad 2-1, Flick: E merituam fitoren

  • PublishedSeptember 29, 2025

Barça rrëmben kreun, “thyen” Sociedad 2-1, Flick: E merituam fitoren

Blofi i Realit në derbi i dhuroi Barçës një asist të pastër, me ekipin e Hansi Flick që nuk shpërdoroi, triumfoi 2-1 ndaj Sociedad duke rrëmbyer të vetëm kreun e La Liga-s në kuotën e 19 pikëve, +1 nga rivali i përjetshëm.

Kjo ishte një sfidë e cila nisi në “malore” për Barçën, me Odriozola-n që kaloi miqtë në avantazh pas një aksioni të bukur. Blaugranët morën kontrollin e lojës dhe në fundin e pjesës së parë, në minutën e 41-të, Kounde në shtyllën e parë gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, me kokë barazoi shifrat në 1-1.

Në fraksionin e dytë, Flick hodhi në fushë edhe Lamine Yamal në minutën e 58-të. Vetëm një minutë i mjaftoi talentin spanjoll për të dhuruar një asist për Lewandowski-n, me këtë të fundit që me kokë përmbysi rezultatin në 2-1. Sociedad nuk u dorëzua, por tronditi jo pak fitoren e Barçës, me Kubo-n që me një goditje të fortë nga distanca përplasi topin në traversë. Leva kishte shansin të mbyllte përfundimisht këtë takim, por pak metra larg vijës fatale, polaku shpërdoroi një rast të artë duke dërguar topin në traversë.

Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Barçën që feston për këtë trepikësh dhe për kreun e klasifikimit. Hansi Flick, trajneri i Barçës u shfaq i kënaqur pas këtij suksesi: “Ishte e vështirë, por e merituam fitoren. Më pëlqeu mënyra se si luajti ekipi, jam i kënaqur për djemtë dhe për tifozët. Mendoj se kjo fitore do ta na shërbejë për t’u përmirësuar. Rikthimi i Yamal? Është kënaqësi që e kemi sërish në dispozicion”, theksoi Flick.

()

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net