“Fitore e rëndësishme”, Allegri tani sfidon edhe Juve, Conte i përgjigjet De Bruyne
Allegri nuk zhgënjeu as këtë herë, të gjithë tensionin dhe presionin e këtij takimi e shfryu në fund, ku goditi një top me të gjithë forcën e tij, por ky është një veprim normal për të pas një ndeshje që vërtetoi se Milani i tij është një ekip i aftë të luajë deri në fund shanset për titull. Tekniku kuqezi nuk e fshehu faktin që ky ishte një takim i rëndësishëm, por jo përcaktues në një kohë kur është vetëm fillimi i sezonit:
“Jam i lumtur pasi ishte një test i rëndësishëm për ne, ishte shumë e vështirë kundër një ekipi si Napoli, me shumë cilësi. Zhvilluam një pjesë të parë të mirë, por në pjesën e dytë kartoni i kuq dhe penalltia na stërviti mbrojtjen. Djemtë u treguan të zotë, por ky është vetëm fillimi, të shijojmë këtë fitore, por nga nesër duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Juventus? Do të jetë një ndeshje e mrekullueshme. Unë kam kaluar një pjesë atje dhe një pjesë këtu, do të jetë argëtuese”, u shpreh Allegri pas ndeshjes.
Nuk e priti mirë këtë humbje trajneri Antonio Conte: “Të vjen keq që pësuam atë gol, ta nisësh ndeshjen pas vetëm 4 minutash me një gol të pësuar në San Siro nuk është e thjeshtë. Luajtëm mirë, ekipi më pëlqeu, bëmë presion lart, por duhet të punojmë më shumë pasi pësojmë disa gola të evitueshëm. Reagimi i De Bruyne gjatë zëvendësimit? Shpresoj të këtë qenë i mërzitur për shkak të rezultatit, në të kundërt është kapur me personin e gabuar”, u shpreh Conte.
()
© BalkanWeb