Një engjëll për Lubonjën

“Fatosi është instruktori im i minierës”, thotë me gjysmë buzëqeshje Eqeremi, ish-i burgosur politik dhe, me një gjuhë kodesh, shton: “Unë nuk isha i birave, isha i materialit.” Eqerem Sefer Mujo nga Luarasi i Kolonjës, i internuar familjarisht në vitet 1945-1990, për aq gjatë sa pati jetë komunizmi, Fatos Lubonjën e gjeti në Spaç, më i madhi kamp-burg me punë të detyruar në minierën e bakrit dhe të piritit.
“E njihni këtë, zoti Eqerem?”. Plaku lexon në kopertinë titullin “Ridënimi” dhe mohon me kokë. Nuk e ka lexuar, nuk e di që aty flitet edhe për atë pjesë ku ishte “instruktor” Fatosi, që e përshkruan kështu:
“Material, trupa, bira” – këto qenë fjalët që përdornim më shumë gjatë ditës dhe që, me një fjalë të vetme, quheshin “cikli”. Duhej hequr materiali që kishte hedhur plasja, duheshin vënë një palë trupa armatimi dhe duheshin bërë birat, që mandej të vinin zjarrmëtarët e lirë e të kryenin plasjen. Vetëm kur kryheshin të gjitha këto, “kapej cikli”. Dhe ky duhej kapur patjetër, ndryshe përfundoje në birucë ndëshkimore, ku ishte më keq se nën tokë. Pyetja e parë që u bënim kolegëve të turnit tjetër, teksa shkëmbeheshim në monopatin që gjarpëronte nëpër të gjitha grykat e galerive, ishte: “A bëtë bira? Sa të thella? Sa material mund të kenë hedhur? Po trupa a vutë?” Të njëjtën pyetje na bënin ata që vinin pas nesh… dhe gjithë bota jonë qerthullonte kështu brenda asaj guve në thellësinë e malit, që na përpinte energjitë…”
Eqeremin e shoqëron një burrë i ri, i ati i të cilit, Ahmet Kolgjini, ish-i burgosur politik për 20 vjet, ka qenë një tjetër shok burgu i Fatos Lubonjës (1951). Kanë ardhur të ndjekin dokumentarin “Più forte dei ciclopi”, premierë në Qendrën Agimi në Tiranë. Salla mbushet, ka nga të gjithë, të rinj, qytetarë, diplomatë, gazetarë. Lubonja i bën bashkë pa promocion. Njerëzit e duan, të paktën ata që ndjejnë humbjen e kuptimit të jetës aktive në këtë vend, ku mungon fjala e shkrimtarëve dhe e artistëve. Këta jetojnë të arratisur nga realiteti, në një kohë kur vendi ka urgjencë për pjesëmarrje qytetare në punët e shoqërisë. Për këto urgjenca, Lubonja themeloi në vitin 1994 revistën “Përpjekja”, që për devizë kishte thënien latine: “Bëhu i ditur të jesh i lirë”. Kur ai del përtej studios televizive, ku komenton disa herë në javë, forca e tij e arsyes maksimalizohet, tekstet e tij riaktualizohen dhe nxitin një proces reflektimi qytetar, që do duhej të ishte përmbushur në shkallë të gjerë që në dekadën e parë të Shqipërisë postkomuniste.
E megjithatë, është një italian, Stefano Grossi, që i ka kushtuar dokumentarin dhe është Polonia, si një kulturë që i ka dhënë vend dinjitoz kontributit të shkrimtarit dhe vuajtjes njerëzore, ajo që po e çon “Ridënimin” në finalen e çmimit letrar “Angelus”. Në Shqipëri, ndërkaq, vihet në dyshim edhe një herë: të jetë apo të asgjësohet Spaçi, të ruhen apo të fantazohen vende si ai.
Trauma jashtë arenës publike

“Ridënimi” i Fatos Lubonjës është finalist për çmimin “Angelus” që mbahet më 18 tetor në Wrocław, qendra e jugut polak. Lajmin e dha përkthyesja e letërsisë shqipe në gjuhën polake Dorota Horodyska, pas njoftimit në faqen zyrtare të çmimit. Kjo vepër kurajoje dhe tmerri, botuar shqip së pari në vitin 1996, përkthyer anglisht në 2009-ën nga John Hodgson, që e ka cilësuar “si vepër me një mendjekthjelltësi morale të jashtëzakonshme”, vjen së fundi polonisht (Drugi wyrok, Botimet Pogranicze, Varshavë, 2024). E njëjta shtëpi botuese ka botuar një përmbledhje esesh nga Lubonja. Autori dhe përkthyesja patën disa takime me lexuesin polak vitin e kaluar dhe tani rivlerësohet në një territor letrar, që përvojat e diktaturave i merr seriozisht.
Pas seleksionimit të disa dhjetra titujve nga shtëpitë botuese polake, Lubonja është kandidat midis autorëve: Darko Cvijetić (Bosnje-Hercegovinë), Inga Gaile (Letoni), Eugenia Kuzniecowa (Ukrainë), Clemens J. Setz (Austri), Leelo Tungal (Estoni) dhe Joanna Wilengowska (Poloni).
Në një bisedë të shkurtër për BIRN-in në mjediset e kinema Agimit, Lubonja e zbret me këmbë në tokë lajmin, kur thotë se, librat që botohen sot në botë dhe çmimet që jepen, janë të panumërt, por rëndësi ka që ky libër të mbetet në Shqipëri. “Unë kam bërë veprën, pastaj ajo flet. Nuk kam punuar për ta promovuar. Vepra është si është, ndoshta do ta gjejë dikush diku. Një çmim është mbështetje. Mund ta kisha marrë më herët dhe mund të kisha pasur më shumë mundësi për të bërë libra të tjerë, për të botuar dhe për t’u motivuar. Po përsëri, motivimi im ka qenë nga brenda, për katarsisin tim dhe për shqiptarët.”
“Ridënimi” dokumenton ngjarjet në burgun e Spaçit nga vera e vitit 1978 në maj të ’79-ës, për një gjyq të montuar pas dyerve të mbyllura, që e akuzon Lubonjën si pjesë të një “organizate kundërrevolucionare antisocialiste”, bashkë me të burgosur të tjerë politikë. Tre nga bashkëvuajtësit e tij, Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka pushkatohen, ai vetë dënohet për së dyti me 25 vjet burg. “Një rrëfim për trimërinë dhe maturinë, burracakërinë dhe poshtërsinë, dëshpërimin dhe shpresën”, e quan Dorota Horodyska në pasthënien e botimit polak. “Këtu nuk ka asgjë të trilluar, të zbukuruar, apo të shtuar. Realiteti është ashtu siç përshkruhet, protagonistët janë të vërtetë, ata dalin me emrat e vet: njëzet e dy të burgosurit e arrestuar, hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët, spiunët dhe dëshmitarët e rremë. Asgjë nuk është ndryshuar, pohimet e dëshmitarëve, akti i akuzës dhe vendimet janë ato që u shqiptuan atëherë.”
Ky lloj makabriteti i regjimit shqiptar, duket i vështirë për t’u kuptuar nga lexuesi i huaj, qoftë dhe lexuesi i Lindjes së Europës ish-komuniste. Për shembull, nuk do të kuptoheshin si disidencë aktet e Lezhos, Kokomanit dhe Koprenckës, shprehur në letrat drejtuar Komitetit Qendror kundër Enver Hoxhës, po qoftë edhe akti i guximshëm i Trebeshinës në letrën e 1953-shit, sepse, thënë me fjalët e Lubonjës, “nuk kemi të bëjmë me disidencë properëndimore, antikomuniste, por me një disidencë specifike”. Nga ana tjetër, për të qenë disidencë, do duhej të komunikonte me qytetarinë dhe të ndikonte tek ajo, kurse në Shqipëri, “akte të tilla nuk rrezatonin përtej mureve të burgjeve dhe hetuesive dhe dënimi i tyre i pamëshirshëm, deri me vdekje, nuk nxiste kurajon që frymëzonin disidentët në Lindjen pas-staliniane, por frikën dhe terrorin”.
Lubonja është nisur të shkruajë një libër dokumentar, por ne e lexojmë si një letërsi të madhe që diskuton se ç’është njeriu, nga buron forca apo dobësia e tij. Ngjarjet shihen ngushtësisht të lidhura me emocionet, tensionin dhe bindjet e njerëzve. Ashtu si në tragjeditë e antikitetit, kur fatet nuk kanë rrugë të mesme, as kthim mbrapa, ato krijojnë brenda rrethanave kufizuese një pasuri mundësish për të shpalosur arsyen dhe aktet njerëzore me gjithë thellësinë që kanë. Në fakt, larmia e mundësive është vetë njeriu, i zbërthyer nën peshën e fatalitetit. Prandaj, si përvojë leximi, “Ridënimi” nuk është aspak i lehtë.
“Libri është aty. Besoj se e kanë lexuar mjaft njerëz dhe se ka ndikuar në koshiencën e individëve të caktuar, por absolutisht nuk ka hyrë në arenën publike si traumë, ndonëse i kanë dhënë një çmim “Serembe” intelektualët e Laçit.” Që trauma nuk ka hyrë në arenën publike, do të thotë që “në skenën reale të Shqipërisë kanë ndodhur largime nga faji, largime nga përgjegjësia. Secili ia vesh përgjegjësinë Enver Hoxhës, pa menduar për përgjegjësitë e vetes”. Këtu Lubonja i referohet Karl Jaspers-it, i cili kur shkruan për përgjegjësinë e gjermanëve për Luftën II Botërore dhe për Holokaustin, dallon katër lloje përgjegjësish: përgjegjësinë juridike, politike, morale si dhe metafizike. Kultura jonë problemin e ka veçanërisht me përgjegjësitë morale dhe metafizike të individit, sepse “është një kulturë që nuk e ndihmon njeriun të jetë i vërtetë, të bëhet vetja e tij, por e shtyn të manipulojë, gënjejë, të pozojë. Kështu, në vend se të kuptojmë sjelljen e njëri-tjetrit në ato kushte çnjerëzore, ripërsërisim të njëjtat metoda sjelljeje, të njëjtat situata dhe jetojmë përsëri një gënjeshtër të madhe, siç e quante Solzhenicini ideologjinë që dominonte jetën e sjelljet e njerëzve në komunizëm”. Në këtë situatë, “Ridënimi” evokon një traumë për të cilën duhet të komunikojnë fajtorë dhe viktima. Nuk ka qenë e mundur, sepse “trauma e mpiks, e frenon, e ngrin komunikimin. Kjo është narrativa dhe këtu mbaron puna. Narrativa që dominon, është gjithnjë e më shumë, narrativë e harresës së të kaluarës, e fillimit të gjithçkaje nga e para, e fillimit të historisë me ne që morëm pushtetin.”
Autori shqiptar hyn në çmimin Angelus si autoritet i barabartë me intelektualët e Europës Lindore e Qendrore, me ata disidentë si Havel-i, Michnik-u e Konrad-i, të cilët gjejnë tek kujtesa historike e përvojës komuniste mundësinë për ta mbrojtur shoqërinë nga gafa të reja, dhe sipas Lubonjës, në mënyrë që “shpirti i së keqes të mos transferohet nga pushtetarët e djeshëm në pushtetarët e sotëm”.
Falë teksteve të burgut dhe për burgun bota do të merrte vesh për gulagët, burgjet dhe kampet e punës së detyruar në vendet komuniste, do të mësonte për Burrelin, Spaçin, Qafë-Barin, Pankracin, Mirovin, Leopoldovin, Gerlën, Belenën, Idrizovon, Goli Otokun. Në këtë linjë, Lubonja është vazhdues autentik i mendimit disident në Europën e shekullit XX.
Është pranuar nga studiuesit se Shqipëria, Çekosllovakia dhe Rumania kanë pasur më shumë shkrimtarë të burgosur se vendet e tjera. Që prej vitit 1955, kur burgjet në Shqipëri u shpallën organizime gjysmë ushtarake, kanë dalë nga këto vende dëshmi dokumentare me vlerë të pazakontë për historinë dhe kulturën tonë, për historinë e Europës dhe më gjerë, dëshmi të shkruara nga Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina, Fatos Lubonja, Patër Zef Pllumi, Maks Velo, Jusuf Vrioni, Bashkim Shehu, Visar Zhiti, po edhe të tjerë, të cilët nuk e patën shkrimin profesion, dikush ndërsa vuante dënimin e dikush pasi doli prej andej, si në rastet e Ejëll Çobës, Sami Repishtit, At Konrrad Gjolajt, Dom Simon Jubanit, Uran Kostrecit, Leka Totos, Pjetër Arbnorit e të tjerë.
“Ploja e mbrame – roman nën petkun e një drame” (1994), u shkrua në burgun e Burrelit në vitin 1988-‘89, dhe u nxor prej andej në letra cigaresh, sepse shkrimi në burg ishte një akt i rrezikshëm për të dënuarin politik në Shqipëri; Ditari “Në vitin e shtatëmbëdhjetë” (1994, Çmimi “Alberto Moravia” 2002), u shkrua në vitin e fundit të burgimit. Janë dy vepra, në të cilat Lubonja argumenton atë që të burgosurit politikë, po edhe studiuesit kanë shprehur për praktikat ndëshkimore dhe persekutimin e organizuar nga shteti, që këto praktika kanë ndryshuar etikën, politikën dhe perceptimin e shkrimit të burgut. Duke dashur të mbrojnë integritetin dhe bindjet për të cilat janë dënuar, disidentët dhe të burgosurit e ndërgjegjes kalojnë nëpër një proces instrospeksioni që merr në analizë gjendjen e tyre personale dhe kolektive, kapin “çastet” në formën e ditarit, dëshmisë, epistolave, poezisë, esesë filozofike dhe letrare.
Ndaj, merr rëndësi të veçantë hyrja e Lubonjës në finalen e çmimit “Angelus”, Çmimi i Letërsisë së Europës Qendrore që e jep qyteti i Wroclaw-ës. Mban emrin e poetit të ashtuquajtur Angelus Silesius, poet religjioz vendas i shtatëqindës. Para finales, midis 1 dhe 17 tetorit, lexuesit do të votojnë për veprën e preferuar, autori i të cilës do të marrë Çmimin “Natalya Gorbanevskaya” (disidente ruse) dhe një rezidencë 3-mujore në Wrocław. “Angelus” është si një matës për prozën që vjen në gjuhën polake nga 21 vende të Europës. Disa nga fituesit e viteve të fundit janë Swietlana Aleksijewicz (Nobel 2015), Saša Stanišić apo Georgi Gospodinov. Kur u themelua në 2005-ën, Shqipëria nuk përfshihej në hartën e çmimit. Prej vitit 2006, vendi ynë ka hyrë tri herë në finale me veprat e Ismail Kadaresë, përkthyer po nga Horodyska, e cila ka arritur që me cilësinë e përkthimit të çojë dy herë në finale Luljeta Lleshanakun për Çmimin “Poeti Europian i Lirisë” që zhvillohet në Gdnask. Në njërin rast, poetja shqiptare u shpall fituese (2021).
“Angelus” mbështetet financiarisht edhe nga Ministria polake e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare. Vlera financiare është rreth 37 mijë euro për autorin fitues dhe 5 mijë euro për përkthyesin.
Dokumentar për idetë

“Shqipërinë e njoh kryesisht përmes Fatosit. Ai është mendimtar i lirë.” Stefano Grossi që vjen nga Torino, në bisedën me BIRN-in, thotë atë që dukej në fakt në dokumentar, që “Più forte dei ciclopi” nuk është aq për Fatos Lubonjën, sesa për idetë e tij, idetë nga përvoja e jetës së tij, ku shihet gjithë shekulli, me çmenduritë dhe kontradiktat e nëntëqindës, nga rënia e totalitarizmave europiane tek brishtësia e demokracisë. “Bilanci i jetës së Lubonjës është me vlerë, sepse të thëna këto nga dikush që i ka hequr në lëkurë, se çfarë është totalitarizmi dhe për t’ia përcjellë Perëndimit, është për mua shumë e rëndësishme.”
“Più forte dei ciclopi”, prodhuar nga Filmrouge dhe Fargo Entertainment, me pjesëmarrjen e aktorit Giorgio Colangeli, u shfaq premierë më 24 shtator në Qendrën Agimi, në kuadrin e Festivalit të Filmit në Tiranë. Është pjesë e një trilogjie, krahas profileve për Luigi Pinto-n (gjeti vdekjen gjatë protestave antifashiste në Brescia, 1974) dhe Nouri Bouzid-in, regjisor disident tunizian. Grossi nuk e konsideron veten dokumentarist. Ai ndjek prirjen e brendshme për të gjurmuar iluministë të epokës sonë, që i qasen botës nga një perspektivë humaniste, e shpërfillur nga narrativat e sotme.
Lubonjën ai e njohu fillimisht nga ditari “Në vitin e shtatëmbëdhjetë”, kohë kur punonte për një seri profilesh dokumentare mbi Kafkën, Rilken, Alda Merinin etj.. U takuan në 2017-ën për realizimin e “Ruotta al contrario”, një dokumentar për italianët që punonin në Shqipëri, një lloj emigrimi i kundërt, ku dalin në pah kontradiktat e shoqërisë shqiptare dhe e ftoi Lubonjën “si Virgjil të këtij udhëtimi”.
Në këtë udhëtimin e fundit ndërthuren pjesë nga ditari, publicistika, nga libri i fundit “Jetë burgu”, me rrëfimin në italisht të Lubonjës, i intervistuar në shtëpinë e tij në Petrelë, në bregdetin e Durrësit dhe në ish-kampin e Spaçit. Sa herë gjendet aty, e godet ajo monstër që i rri sipër, miniera. “Spaçi është vend vuajtjeje, një vend që duhet të ishte i shenjtë. Në kampet e tjera nuk të lënë as të hash diçka, sepse do ishte profanim, ndërsa këtu është ndërtuar një minierë e madhe dhe një fabrikë. Mendoni të ndërtosh në Aushvic një minierë, sepse poshtë ka para. Këtë e ka bërë një mik i Erdoganit. Kemi këmbëngulur të mos bëhej, por ky Erdogani është mik i kryeministrit tonë dhe kështu u bë kjo masakër dhe ky njeri as nuk pyeti, ore po ku është ky vend ku kanë punuar, fjetur, vuajtur të burgosurit politik?”

Grossi, përveçse dashamirës, duket i kujdesshëm për të ndjekur besnikërisht një itinerar të Lubonjës, nga rinia e hershme kur mendonte se bënte letërsi sirtarësh, me Ditarët nga Laçi dhe një antiroman, për të ardhur “në Shqipërinë post-komuniste të Sali Berishës dhe sot, në demokraturën e korruptuar të Edi Ramës, duke vënë në pikëpyetje natyrën e demokracisë dhe të lirisë”. Disa nga momentet më të rëndësishme të itinerarit janë refleksionet mbi ndjenjën e fajit, si i mbijetuar nga burgjet politike, duke e përqasur këtë ndjesi me ndjenjën e fajit që flet Levi, i mbijetuar i Aushvicit: Përse unë ia dola dhe ata jo? Mos më mungonte diçka?
Në lidhje me figurën e Enver Hoxhës, ai fokusin e vendos tek shoqëria e jo tek tiparet e një diktatori absolut: Hoxha është krijesë e jona, e kulturës sonë. Ai thyen një tabu kur deklaron se, edhe rënia e komunizmit, ishte një liri e dhuruar, dhe pikërisht këtë e provojnë ngjarjet që erdhën pas, si shkërmoqja e shtetit në vitin 1997. Shqipëria kaloi nga diktatura në postdemokraci pa e jetuar demokracinë, kësisoj, “nuk mund të flasim për tranzicion. Ishim në një regjim komunist, tani jemi në një regjim postdemokratik”.
Në këtë pikë Grossi ka çfarë të shtojë personalisht. “Sa herë vij në Shqipëri, tmerrohem”, thotë ai. “Shoh një vorbull gjërash tërësisht në kontrast me njëra-tjetrën, që nuk mund të bashkëjetojnë. Është tregues i qartë i çmendurisë së postmodernitetit, për modelin tonë të zhvillimit. Të kundërtat dalin në pah në mënyrë kaq eksplicite, si mish i freskët, është një masakër kulturore turbokapitalizmi i sotëm. Kur shoh Tiranën, e ndjej dhunën dhe çmendurinë e këtij sistemi, e këtij modeli jete dhe nuk e them për pozë këtë. Por kam edhe frikë se më duket si imazh i së ardhmes sonë për Europën dhe nëse vazhdon kështu, kam frikë për fëmijët e mi.”
Ai ndjen keqardhje që në Itali nuk janë përkthyer “Ridënimi” dhe “Jetë burgu”, dhe kjo tregon “mediokritetin kulturor të vendit tonë, prapambetjen që ka shpërthyer vitet e fundit. Një autori si ai, duhej t’i ishte përkthyer e gjithë vepra”.
Me zërin e aktorit Giorgio Colangeli vjen një pjesë nga “Nostalgjia e hidhërimit” që është një nga tekstet më të bukura që Lubonja ka shkruar, ku përpunohet ideja e stoikëve të amor fatit apo fatit që mund të orientohet në sajë të vullnetit dhe shndërrohet në një diçka të paparashikueshme për të ardhmen, për vetë jetën. Ai tregon për dimrin e vitit 1983, kur i izoluar në kampin burg të Qaf-Barit, bashkë me mikun Tomorr Allajbeu – “më shkoi jeta si mjalta në shkëmbit” thoshte ky – i rezistonin temperaturave -19 gradë. Prej aty, do të shkruhej vite më vonë ky refleksion për të ndjerët nostalgji edhe për përjetimet e hidhura. “Ndoshta ajo që duhet është një filozofi jete”, shkruan Lubonja. “I gjithë problemi i jetës është pajtimi i destinit tonë me destinacionin tonë (amor fati). Kjo mund të bëhet në mënyrë aktive, duke luftuar për realizimin e vetvetes nëpërmjet ngjarjeve që të sjell fati, duke u përpjekur, pra, për t’i shfrytëzuar ato në sensin e vullnetit tonë, për të gjetur tek ato që na ndodhin së jashtmi shenja të destinacionit tonë.”