Prokurorët amerikanë kërkojnë mbi 11 vite burg për Sean “Diddy” Combs
Prokurorët federalë në SHBA po i kërkojnë gjyqtarit Arun Subramanian të dënojë me mbi 11 vite burg producentin dhe reperin e njohur Sean “Diddy” Combs, duke argumentuar se një dënim i gjatë është i nevojshëm për shkak të abuzimeve fizike dhe psikologjike që ai ka ushtruar për vite me radhë ndaj partnereve dhe punonjësve të tij. Në një dosje prej 161 faqesh, e paraqitur të hënën mbrëma, prokurorët i kërkuan gjykatës të refuzojë kërkesën e Combs për një dënim shumë më të shkurtër prej 14 muajsh (koha e kaluar në paraburgim).
Sipas tyre, Combs nuk ka treguar pendesë dhe është përpjekur të fajësojë viktimat. “Ai ka treguar vazhdimisht se shqetësohet vetëm për pushtetin dhe kontrollin e tij. Vetëm një dënim i konsiderueshëm me burg mund ta dekurajojë dhe t’u japë viktimave të ardhshme besim se abuzuesit do të mbahen përgjegjës, pavarësisht pasurisë apo famës,” shkruajnë prokurorët. Ata po ashtu kërkojnë gjobën maksimale prej 500 mijë dollarësh.
Departamenti Amerikan i Lirimit me Kusht rekomandoi një dënim mes pesë dhe shtatë viteve, ndërsa prokurorët paraqitën edhe letra nga Cassie Ventura, prindërit e saj dhe ish-punonjës të Combs, të cilët i kërkuan gjykatësit të marrë parasysh frikën dhe pasojat tek viktimat.
Vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 3 tetor. Combs u lirua në korrik nga akuzat më të rënda, si shantazhi dhe trafikimi i qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual, por mbetet nën akuzë sipas Aktit Mann, që parashikon dënime deri në 10 vite burg për çdo shkelje.