Zhgënjen dyshja Asllani-Ismajli, mediat “ngelin në klasë” legjionarët (VIDEO)
Largimi nga Inter dukej si një shpëtim për Asllanin, por mesfushori kuqezi nuk po arrin të gjejë veten as te Torino, të paktën jo për momentin. Nuk po shkëlqen as Ismajli, me qendërmbrojtësin kuqezi që vijon të mos jetë në kushte perfekte fizike. Të dy legjionarët kuqezi zbritën në fushë si titullar në sfidën kundër Parmës, por pa mundur të shmangin humbjen e tretë në pesë javët e para të Serie A.
Pellegrino bëri diferencën me nga një gol për çdo pjesë, duke i dhuruar Parmës një trepikësh pas fitores 2-1. Asllani qëndroi në fushë deri në minutën e 71-të, i vlerësuar nga mediat italiane me notën 5,5: “Jo shpesh preciz në regji, humbet topa që i lejon kundërshtarët të rinisen. Nuk ishte i saktë në finalizim, një paraqitje jo në nivelin e pritshmërive dhe aftësive të tij teknike”, shkruajnë mediat për Asllanin. Më gjysmë note më pak u vlerësua Ardian Ismajli.
“Preku topin më dorë në zonë çka solli më pas dhe një penallti e konfirmuar me VAR. Paraqitja e tij u kushtëzua shumë nga ky episod që ishte jo pak përcaktues në këtë takim”, ishte komenti i mediave italiane për paraqitjen e Ismajlit.

Në fund, u largua nga fusha edhe i dëmtuar. Kjo humbje dhe paraqitjen e Torinos këtë sezon kanë vendosur në dyshim të ardhmen e trajnerit Baroni.
()
© BalkanWeb