INTERVISTA/ “Më donin në kryeqytet, por ja pse firmosa në Algjeri”, Xhixha: Derbi Partizani-Tirana? Kush fiton “ringjallet” (VIDEO)
Pas aventurës te Qarabag, Redon Xhixha vendosi të bashkohej me skuadrën algjeriane të CR Belouizdad. Në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, lojtari shqiptar flet për eksperiencën me ekipin e ri, por jo vetëm. Në bisedën e bërë me Trevisa Tufën, Xhixha komenton edhe zërat e merkatos që e lidhnin me kalimin në Superligë. Nuk mund të mungonte edhe parashikimi i Xhixhës për derbin Partizani-Tirana, duke vendosur në “peshore” të dyja skuadrat.
Xhixha, pse Algjerinë, pse kjo zgjedhje?
Ishte zgjedhje e shpejtë, te Qarabag s’po luaja dhe po prisja që të largohesha. Oferta e Algjerisë ishte e mirë në të gjitha aspektet dhe thashë pse jo.
Si po shkon kjo aventurë, u bashkua edhe Endri Çekiçi së fundmi…
Jemi të dy këtu, kemi dy muaj që kemi nis stërvitjen. Nuk e kemi nisur mirë kampionatin, është më e thjeshtë kur je dy shqiptar, sidomos për t’u ambientuar. Dihet ajo, është shtet tjetër, kontinent tjetër, duhet kohë për t’u ambientuar.
Siç ndodh shpesh, edhe këtë verë emri juaj u lakua në Superligë, kishte diçka konkrete, apo thjesht zëra merkatoje?
Këtë verë kishte kërkesa por konkrete mund të them se vetëm Tirana. Pata bisedë të shkurtër me Halilin, por kisha vendosur që të vija këtu, ndaj ishte e pamundur. Nga ekipet e tjera, nuk kam patur kontakt të drejtëpërdrejtë, por nëpërmjet njerëzve të mi. Nuk u finalizuan.
Xhixha, është e pashmangshme kur diskutojmë bashkë, të mos flasim për derbin e kryeqytetit. Fillimisht, ke pasur mundësi t’i ndjekësh ndeshjet? A të mungon derbi?
Ndeshjet e Tiranës i ndjek, por ndonjëherë edhe të tjerat kur jam pushim. Tirana nuk ka bërë një nisje të mirë, por besoj se mund të shkojë te rezultatet pozitive.
Redon, si e sheh derbin këtë të premte, dy ekipe të mëdha, por në pozita të vështira. A mendon se ky derbi mund të ndryshojë sezonin e Partizanit dhe Tiranës? Si ndikon derbi në situata të tilla?
Unë si tifoz kur shikoj në këtë pozicione të dyja ekipet e kryeqytetit, më vjen keq. Derbi është derbi, nga ana tjetër nuk ka rëndësi sa pikë ke. Lojtarët e Partizanit e njohin derbin, ata të Tiranës janë të rinj. Kushdo që fiton derbin, nis ecuri pozitive.
Mendon se Tirana rrezikon të bie, vetëm 2 pikë në 5 javë, vendi i fundit?
Tani është shpejt për të folur, kampionati është i gjatë. Nuk mund ta caktosh që tani nëse është apo jo për mbijetesë.
Kë sheh favorit Xhixha, kush mendon se fiton të premten?
Derbi nuk ka favorit. Të gjithë japin maksimumin. Shpresoj që të na kënaqin edhe ne që do e shikojmë nëpërmjet televizionit dhe ata që janë në stadium.
Në fund, dua dhe një koment, për ekipin përfaqësues. Si e ke parë Kombëtaren këtë periudhë? Çfarë pret ndaj Serbisë, a i kemi mundësitë për të fituar atë takim?
Kemi lojtarë cilësorë në ekip. Shpresoj që të fitojmë me Serbinë dhe të bëjmë të lumtur tifozët. Pastaj, pse jo për të shkuar në Botëror!
© BalkanWeb