Fri, Oct 3, 2025

Studentë dhe pedagogë nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare, pjesë aktive e programit “Biomaterials and 3D Printing for Therapeutical Applications”, organizuar nga Prof. Bruna Sinjari dhe Universiteti “Gabriele”

  • PublishedOctober 1, 2025

Studentë dhe pedagogë nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare (FMD) morën pjesë aktive në programin ndërkombëtar të trajnimit “Biomaterials and 3D Printing for Therapeutical Applications”, zhvilluar në datat 8–13 shtator 2025, në Universitetin “Gabriele d’Annunzio” në Chieti-Pescara, Itali.

Ky aktivitet një javor u ideua dhe u organizua në mënyrë të shkëlqyer nga Prof. Bruna Sinjari, koordinatore dhe përgjegjëse e programit, njëherazi e deleguara e Rektorit të universitetit për marrëdhëniet me universitetet e Ballkanit. Prof. Sinjari ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin dhe konsolidimin e një bashkëpunimi të suksesshëm e afatgjatë ndërmjet Universitetit të Chietit dhe Fakultetit të Mjekësisë Dentare në Tiranë.

Programi mblodhi akademikë të njohur nga universiteti pritës, si edhe profesorë e studentë nga vende të ndryshme evropiane, përfshirë Irlandën, Holandën, Spanjën, Greqinë, Lituaninë, Rumaninë, Moldavinë, Poloninë, etj. Ndër pjesëmarrësit nga Shqipëria ishin edhe Prof. Edit Xhajanka, ish-Dekane e FMD-së dhe një nga promotoret kryesore të lidhjeve akademike me Universitetin italian, te Chietit, si dhe Prof. Xhina Mulo, ish-zëvendës Dekane për kërkimin shkencor në FMD. Të dyja profesoreshat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e komponentit shkencor dhe kërkues të bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Trajnimi u fokusua në temat më të fundit të fushës, duke përfshirë teknologjinë e printimit 3D në stomatologji dhe përdorimin e biomaterialeve në trajtime terapeutike. Pjesëmarrësit ndoqën leksione nga ekspertë ndërkombëtarë, morën pjesë në preztime shkencore dhe sesione praktike, duke përfituar jo vetëm njohuri të reja, por edhe përvojë konkrete me teknologjitë më moderne në këtë fushë.

Pjesëmarrja e Prof. Xhajanka dhe Prof. Mulo, konfirmoi angazhimin e palëkundur të fakultetit për ndërkombëtarizimin e arsimit dhe kërkimit shkencor. Gjatë takimeve dhe diskutimeve me kolegët ndërkombëtarë, u trajtuan ide për projekte të përbashkëta, shkëmbime akademike dhe mundësi për përfshirjen e studentëve shqiptarë në rrjetet kërkimore evropiane.

Kontributi i tyre u vlerësua nga organizatorët si një shembull i përfshirjes së suksesshme të Shqipërisë në zhvillimet më bashkëkohore shkencore dhe teknologjike, duke forcuar pozicionin e universiteteve shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Ky program nuk ishte thjesht një aktivitet akademik. Ai përfaqësoi një eksperiencë të plotë shkencore, profesionale dhe kulturore, që la gjurmë të thella tek të gjithë pjesëmarrësit. Krahas pjesës akademike, pjesëmarrësit u përfshinë në aktivitetet sociale dhe kulturore të organizuara me përpikëri, duke vizituar zonat natyrore dhe historike të Peskarës, duke marrë pjesë në ture çiklistike dhe aktivitete sportive që promovojnë shëndetin dhe bashkëpunimin.

Atmosfera e krijuar ishte ngrohtë, miqësore dhe ndërkulturore, duke nxitur bashkëpunimin mes institucioneve dhe ndërtimin e marrëdhënieve afatgjata akademike ndërkombëtare. Ky aktivitet mbetet një përvojë e paharrueshme, që do të shërbejë si frymëzim dhe motivim për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës. Falënderime të veçanta i drejtohen Prof. Bruna Sinjari dhe ekipit të saj organizues, për profesionalizmin, korrektësinë dhe mikpritjen shembullore, që bënë të mundur realizimin e një aktiviteti të nivelit më të lartë akademik dhe njerëzor. Ky program dëshmon se kur bashkohen vizioni, përkushtimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, rezultatet janë frytdhënëse dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.