Thu, Oct 2, 2025

Misteri Bakajoko tek Egnatia, Tetova gjen zgjidhje për sulmin

  • PublishedOctober 2, 2025

Misteri Bakajoko tek Egnatia, Tetova gjen zgjidhje për sulmin

Egnatia duket se e ka ndryshuar plotësisht “marshin”, duke marrë parasysh nisjen e dobët, me vetëm një pikë në dy sfidat e para. Me tre fitoret radhazi, skuadra ka arritur në kuotën e dhjetë pikëve dhe qëndron vetëm një hap larg Elbasanit kryesues.

Synimi i tyre është të vazhdojnë me të njëjtin ritëm edhe këtë fundjavë, ku do të jenë mysafirë të Vorës, skuadër e sapongjitur në elitë këtë edicion. Pritet që tekniku ta ketë të plotë të gjithë grupin dhe të mos bëjë ndryshime nga sfida e kaluar në Vlorë, pasi skuadra po gjen ekuilibrat e duhur.

MISTERI BAKAJOKO Afrimet e reja po japin frytet e pritshme, por tek kampionët nuk shkon gjithçka “vaj”, edhe pse në fund të ditës janë rezultatet ato që kanë rëndësi dhe që Egnatia e drejtuar nga Edlir Tetova po i merr. Tek rrogozhinasit ekziston një mister që mban emrin e sulmuesit Soumaila Bakajoko, i cili duket se ka dalë “jashtë loje”.

23- vjeçari mbajti peshën e sulmit të Egnatias në ndeshjet e Europës, duke qenë pika referuese, dhe Tetova i besoi si sulmues kryesor. Edhe pse golat munguan, ai shënoi vetëm një ndaj Dinamos së Minskut, kontributi i tij në fushë ishte i dukshëm. Mirëpo, starti i këtij sezoni në Superiore tregon se sulmuesi është lënë krejtësisht në hije dhe është bërë një alternativë gjithnjë e më pak e vlefshme për Tetovën. Ai ka luajtur kryesisht si zëvendësues, me vetëm 65 minuta të luajtura deri më tani, ndërsa ndaj Tiranës madje nuk u aktivizua dhe qëndroi vetëm në stol.

DËNIMI Nuk flitet për probleme fizike, por duket më shumë si një dënim i klubit, për faktin se nuk u largua gjatë merkatos së verës, ku skuadra të huaja shfaqën interesim për të. Më konkretisht bëhej fjalë për një skuadër nga Ukraina. Drejtori Klejdi Zenelaj pranoi publikisht para ndeshjes me Elbasanin se e gjithë situata mbetej në dorë të lojtarit, pasi Egnatia kishte arritur dakordësi për shitjen e tij. “Ne si klub kemi arritur dakordësinë me një klub ukrainas, por është lojtari ai që nuk ka akoma një marrëveshje personale.

Merkato në Ukrainë mbyllet javën e dytë të shtatorit. Nëse Bakajoko arrin marrëveshjen personale, lojtari do të transferohet”, u shpreh asokohe drejtori. Megjithatë, përtej arritjes së marrëveshjes mes klubeve, transferimi nuk u realizua, duke nënkuptuar se ishte vetë lojtari që e prishi atë. Ky fakt nuk u prit mirë nga klubi rrogozhinas dhe futbollisti u “dënuar” duke mos pasur më shumë minuta në dispozicion. Kjo situatë ka bërë që Tetova të riorganizojë sulmin dhe të besojë më shumë te afrimet e reja, duke siguruar që skuadra të vazhdojë të grumbullojë pikë dhe të mbajë ritmin konkurrues ndaj kryesuesve.

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net