Fri, Oct 3, 2025

Ngec Man.City, Arsenal perfekt në Champions, shkëlqen edhe Newcastle

  • PublishedOctober 2, 2025

Ngec Man.City, Arsenal perfekt në Champions, shkëlqen edhe Newcastle

Në mënyrë të papritur, Man.City ngec në Principatë, del me një pikë nga Monaco pas një barazimi drithërues 2-2, në një ndeshje ku nuk mjaftoi as “dopieta” e Haaland e as dy shtyllat e goditura.

Biondi norvegjez është rikthyer në versionin e tij shpërthyes, ku fillimisht gjeti golin e parë që në minutën e 15-të me një parabël të ëmbël. Festa e “qytetarëve” nuk zgjati shumë pasi tre minuta më vonë, Monaco u rikthye në lojë me një super gol. City nuk hoqi dorë nga faza ofensive, por në minutën e 32-të ishin thjesht të pafat teksa goditja e Foden u përplas në traversë. Në fundin e pjesës së parë, Haaland u shërbye në qendër dhe me një goditje të saktë me kokë riktheu Man.City në avantazh. Ekipi i Pep Guardiola-s dështoi të mbyllte ndeshjen pasi edhe Reijenders u ndal në traversë.

Atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, në minutën e 84-ët, Monaco fitoi një 11-metërsh për faull në zonë. Erik Dier u tregua i saktë duke i dhuruar francezëve një pikë të vyer. Pas 2 ndeshjeve të para, City e sheh veten në kuotën e 4 pikëve.

Vijon ecurinë perfekte në këtë fillim sezoni në Champions ekipi i Arsenal, 2 ndeshje 6 pikë të plota. “Topçinjtë” triumfuan 2-0 përballë Olympiacos. Martineli realizoi golin e parë në minutën e 12-të, ndërsa protagonist u kthye edhe portieri Raya, me këtë të fundit që bëri një super pritje në fraksionin e parë. Për të hipotekuar këtë fitore mendoi Saka, me sulmuesin anglez që realizoi golin e dytë në shtesë.

Shkëlqen Newcastle në këtë xhiro të dytë në Champions, me “qymyrxhinjtë” që triumfuan me “poker” golash përballë Royale Union. Woltemade realizoi golin e parë në minutën e 17-të, duke devijuar me finte një goditje të Tonalit. Stafetën e mori më pas Anthony Gordon, me sulmuesin anglez që realizoi dy gola, dy herë nga pika e bardhë e penalltisë. Barnes në minutën e 80-të sigloi shifrat finale në 0-4.

()

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net