Thu, Oct 2, 2025

Rritje kostosh? Ligji i qeverisë për mbetjet pritet me shqetësim në Kuvend

  • PublishedOctober 2, 2025
Rritje kostosh? Ligji i qeverisë për mbetjet pritet me shqetësim në Kuvend

Komisioni i Ligjeve mori në shqyrtim të enjten projektligjin e ri për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, i cili parashikon ngritjen e një superagjencie shtetërore që do të administrojë infrastrukturën e mbetjeve në vend, duke sjellë rritje të kostove dhe tarifave sipas parimit “ndotësi paguan”.

Diskutimet e deputetëve u përqendruan tek kostot financiare dhe rrezikun për rritje të tarifave për qytetarët nga aplikimi i skemës së re, së bashku me shqetësimet për cenimin e autonomisë vendore.

Në këtë kontekst, opozita kërkoi zhvillimin e dëgjesave publike me shoqatat e bashkive dhe akuzoi qeverinë se ka shpenzuar dhjetra milionë euro në një dekadë për inceneratorët pa asnjë rezultat.

Pikëpyetje u shtruan dhe për mënyrën e funksionimit të Agjencisë Kombëtare për Ekonominë e Mbetjeve, AKEM, dhe detyrën që ajo ka për menaxhimin e inceneratorëve të cilët sot janë jofunksionalë. Për aferën e korrupsionit me inceneratorët janë dënuar një ish ministër dhe dhjetra zyrtarë shtetërorë.

Nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi pyeti ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj nëse do rriten tarifat për qytetarët dhe si e garanton që AKEM nuk do të ngrejë tarifën për dorëzimin e mbetjeve në pikën fundore bashkisë. Jaupaj tha se tarifat do të vendosen në bazë të eficencës dhe e cilësoi procesin e menaxhimit të mbetjeve si procesin më të kushtueshëm sot.

“Ligji parashikon një metodologji, ka një proces shkencor, teknik për përcaktimin e tarifave që do të jenë të tilla që të jenë të përballueshme nga bashkitë që sistemi të jetë efikas,” tha ai para komisionit.

Edhe deputeti socialist, Damian Gjiknuri e ngriti si shqetësim çështjen e kostove financiare me të cilat do të përballet zbatimi i ligjit.

“Pyetja qëndron: a do të sjellë tarifa të reja për qytetarët?”- pyeti ai.

Ministri u përgjigj se barrën kryesore financiare do ta mbajë qeveria, ndërsa bashkitë do të përballojnë një pjesë të kostove.

“Ky është kapitulli më i shtrenjtë i negociatave me Bashkimin Europian. Qeveria është në bisedime për të siguruar fonde nga BE, kredi dhe grante, në mënyrë që të mbështesim infrastrukturën e re pa e ngarkuar tej mase buxhetin vendor,” argumentoi ai.

AKEM, sipas ligjit, do të funksionojë si një shoqëri aksionere dhe do të menaxhojë strukturat fundore të menaxhimit të mbetjeve, ndërsa bashkitë do të jenë përgjegjëse për grumbullimin dhe depozitimin. Po ashtu bashkitë do të nisin fushata qytetare për ndarjen në burim të mbetjeve.

Agjencia do të financohet nga buxheti i shtetit, nga tarifat që do të paguajnë bashkitë për depozitimin e mbetjeve dhe nga shitja e materialeve për riciklim.

Por deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, aludoi se në të ardhmen do të përfshihen aktorë privatë në menaxhimin e skemës, pyetje për të cilën ministri nuk u përgjigj qartë me po ose jo nëse ligji e lejonte.

Diskutimet u fokusuan gjithashtu tek nevoja për reduktimin e përdorimit të landfilleve dhe orientimin drejt riciklimit dhe asgjësimit të mbetjeve, si pjesë e një strategjie afatgjatë për menaxhimin e qëndrueshëm të tyre.

Me prezantimin e kësaj nisme ligjore qeveria pranon dështimin e skemës së incenerimit, ku u hodhën dhjetëra milionë euro investime në dekadën e fundit, dhe i rikthehet riciklimit si hallkë e parë në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve, në një skemë menaxhimi që pritet të rëndojë në xhepat e qytetarëve me rritje kostosh dhe tarifash.