Fri, Oct 3, 2025

Beteja për kreun, Juve sfidon Milan-in, në Torino të penduar për Allegri-n?

  • PublishedOctober 3, 2025

Beteja për kreun, Juve sfidon Milan-in, në Torino të penduar për Allegri-n?

E diela në mbrëmje do të jetë e gjitha e fokusuar në sfidën e shumëpritur në Serinë A, aty ku Juventus dhe Milan do të masin forcat ndaj njëra tjetrës në “Juventus Stadium” të Torinos.

Një përballje klasike kjo, që gjithnjë ngjall kuriozitetin maksimal tek të gjithë fansat e dy prej skuadrave më të rëndësishme jo vetëm në Itali.

Nga njëra anë Juventus. Fillimi i mirë i sezonit nga “Zonja e Vjetër” duket se tashmë është ventitur. 4 barazime dy në kampionat e dy në Champions, kanë zbritur bardhezinjtë e Igor Tudor me këmbë në tokë. Vetë trajneri kroat ka përfunduar në qendër të kritikave, pasi skuadra e tij qartazi po shfaq sinjale jo pozitive, së pari në mbrojtje aty ku po pëson rregullisht gola në çdo ndeshje, por edhe në sulm. Pavarësisht se Juventus po shënon, menaxhimi i 6 sulmuesëve me peshë dhe mos ndarja e roleve në këtë skuadër, mbetet ende një barrë e rëndë për Igor Tudor që duhet zgjidhur.

Në krahun tjetër Milani. Kuqezinjtë e Max Allegrit po përjetojnë një moment të magjishëm. Pas disfatës në javën e parë ndaj Cremoneses kuqezinjtë kanë njohur vetëm fitore, prej të cilave një në kupë dhe 4 në Serinë A. Fitorja e fundit nga kampionëve në fuqi të Napolit bëri që kritikët të heshtin dhe që “Djalli” të konfirmohet si një skuadër që mund të garojë padyshim për titullin këtë sezon.

Por vëmendjen kryesore nuk ka se si të mos e marrë në prag të kësaj përballje tekniku i Milanit, Massimiliano Allegri. Një karrierë e ndarë mes të dyja klubeve. 5 tituj kampioni si trajneri i Juventus dhe një si kuqezi në 2011. Këtë sezon i rikthyer tek milanezët, me objektivin e vetëm atë të rikthimit të Milanit sërish në majën e futbollit italian. Ku i dihet, ndoshta në Torino mund të jenë penduar që nuk rikthyen Allegrin, por i besuan Tudorit? Mbetet për tu parë, për momentin fjalën do ta ketë fusha, aty kur të dielën do të mësojmë nëse Juve do të riktheht tek fitorja apo Milan do të konfirmojë forcën e saj.

 

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net