Hezitimi ndaj vaksinës së fruthit ul mbulimin në Lezhë

Ermira, nëna e një fëmije 1-vjeçar në Lezhë, ende nuk e ka kryer vaksinën kundër fruthit për djalin e saj, e cila është e detyrueshme. Edhe pse prej disa muajve djali i saj ka mbushur moshën për të bërë vaksinën e radhës, nëna e re ka hezituar t’i drejtohet poliklinikës vendore, nga frika se vaksina mund të shkaktojë efekte anësore, siç është edhe autizmi, çfarë e ka bërë të hezitojë.
“Të them të drejtën, kam lexuar dhe kam dëgjuar shumë gjëra, ndaj po e shoh me skepticizëm,” tha ajo. “Shumë të dhëna thonë se mund të shkaktojë autizëm, ndaj edhe kam hezituar,” shtoi Ermira, ndërsa theksoi se “vaksinat e tjera ia kam bërë fëmijës, por për këtë jam shumë në dilemë.”
Ermira nuk është e vetme. Mitet dhe diskutimet pa bazë shkencore kanë ndikuar që vaksinimi i detyrueshëm të shihet me dyshim nga një pjesë e prindërve, por edhe nga të rritur që hezitojnë ta kryejnë atë në Lezhë. Të dhënat e dy viteve të fundit nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor tregojnë se vaksinimi i detyrueshëm nuk është arritur të kryhet në masën e duhur
Në vitin 2023, mbulimi me vaksinën kundër fruthit arriti në 93 për qind, në vitin 2024 në 94 për qind, ndërsa këtë vit ende nuk ka kaluar kufirin e 90 për qindëshit. Rënia e ritmeve të vaksinimit dhe hezitimi i prindërve po kthehen në një shqetësim serioz për autoritetet shëndetësore, të cilat kërkojnë më shumë ndërgjegjësim dhe angazhim nga personeli mjekësor.
“Normalisht që ka diskutime të ndryshme për të gjitha vaksinat, por bluzat e bardha duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me popullatën për t’i bindur mbi përfitimet dhe efektet e mira që sjell secila vaksinë,” tha ai për BIRN. drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Elson Frroku. Sipas tij, skepticizmi më i madh lidhet me vaksinën kundër fruthit dhe atë të HPV-së, megjithëse studimet ndërkombëtare kanë treguar se ato janë të sigurta.
“Ka shumë shtete që nuk e aplikojnë fare vaksinën e fruthit dhe megjithatë raporti i fëmijëve të lindur me autizëm është pothuajse i njëjtë me atë të gjithë Europës. Kjo tregon se nuk ka lidhje midis vaksinës dhe autizmit,” shtoi Frroku.
Aktualisht në Shqipëri aplikohen 13 vaksina për sëmundje të ndryshme për fëmijët nga lindja deri në moshën 18-vjeçare, ku më të rëndësishmet janë ato që kryhen në vitin e parë të jetës.
Teoritë konspirative rreth vaksinës kundër fruthit janë përhapur gjerësisht në dekadat e fundit, sidomos përmes rrjeteve sociale, dhe shpesh bazohen në pretendime të pabazuara shkencërisht. Një nga më të njohurat është lidhja e rreme mes vaksinës MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) dhe autizmit, e cila buron nga një studim i diskredituar i vitit 1998.
Edhe pse studimi u tërhoq dhe autori i tij humbi licencën mjekësore, miti vijon të qarkullojë, duke nxitur hezitimin ndaj vaksinimit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thekson se vaksina MMR është e sigurt dhe efektive, dhe se pretendimet për lidhje me autizmin janë plotësisht të pavërteta. OBSH paralajmëron se hezitimi ndaj vaksinimit po çon në rikthimin e shpërthimeve të fruthit në shumë vende, pavarësisht se sëmundja mund të parandalohet lehtësisht me vaksinim rutinë.
Mjekët theksojnë se vaksinimi mbetet mjeti më i fuqishëm dhe më ekonomik për të parandaluar sëmundjet infektive, ndërkohë që hezitimi i prindërve po ndikon në rënien e mbulimit me vaksina në disa zona të vendit.
Mjeku infeksionist Martin Marku thekson se vaksinimi ka luajtur një rol kyç në kontrollin e sëmundjeve që dikur merrnin mijëra jetë njerëzish.
“Vaksinimi ka bërë të mundur reduktimin në masë të sëmundjeve infektive; madje disa sëmundje janë zhdukur tërësisht, ndonëse dikur merrnin mijëra jetë njerëzish,” tha Marku për BIRN. “Vaksinat kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në uljen e vdekshmërisë dhe të kostove për trajtimin e këtyre sëmundjeve. Pra, vaksinimi është një proces thelbësor dhe nuk ka asnjë bazë ajo që thuhet për disa lloje vaksinash që mund të krijojnë probleme për shëndetin,” shtoi ai.
Në të njëjtën linjë është edhe mjekja Klaudia Tushi, e cila thekson se të gjitha vaksinat që përdoren në Shqipëri janë të certifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Vaksinat konsiderohen si një nga arritjet më të mëdha të mjekësisë moderne. Statistikat në nivel global tregojnë se ato kanë bërë të mundur përgjysmimin e normave të vdekshmërisë te fëmijët. Të gjitha vaksinat që ne përdorim janë të certifikuara nga OBSH dhe nuk duhet të ketë aspak hezitim nga popullata,” tha Tushi.
Rënia e mbulimit ka nxitur Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Lezhë të ndërmarrë një fushatë sensibilizuese në qytet dhe në zonat rurale. Shefja e epidemiologjisë, Evisa Deda, thekson rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Është një përgjegjësi shumë e madhe të nxjerrim në pah rëndësinë e vaksinimit në parandalimin e sëmundjeve infektive, në mbrojtje të jetës dhe forcimin e imunitetit,” tha ajo. “Bluzat e bardha duhet të komunikojnë dhe t’i bindin qytetarët për rëndësinë e vaksinimit, duke u dhënë qetësi dhe siguri, që të paktën vaksinimi i detyrueshëm të realizohet në masën 100 për qind,” përfundoi Deda.