Kur ministria mbush hapësirat e saj me rregullore e kode
QEMAL ÇEJKU
Në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, para se të uroj ata që punën e shohin si mision (se pasioni besoj ka kohë që ka mërguar), po kujtoj kakofoninë e parullave proqeverisëse të tipit “kodi i etikës” apo “ndalimi i përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të ndërlidhura me to”. Këto janë zhurma të planifikuara, për të hequr vëmendjen nga dështimet “e suksesshme” në sistemin arsimor. Kryefjala e atyre pak kritikëve këtë vit shkollor është ulja e numrit nxënësve në çdo shkollë, qytet apo fshat. Vazhdojnë të na thonë që nuk ka shumë lindje dhe ka emigrim, por jo të gjitha shifrat përputhen me këtë formulë. Prindi shqiptar paguan shumë për arsimimin e fëmijëve. Me dhe pa mundësi, ai bën një zgjidhje që mundëson të mos e pengojë atë në punën dhe angazhimet e tjera si qytetar. Shkolla sot fillon në 8:00 deri në maksimumi 13:30. Po pastaj ku është zgjidhja? Shofer personal, të lerë punën, apo ta regjistrojë në kurset “kërpudhë” të tipit “after school”? Zgjidhje e zgjuar, por me kosto, është arsimi jopublik. A kemi ne sot një statistikë krahasuese në vite për numrin e nxënësve të regjistruar? Kjo është e vërtetë më e madhe se propaganda e uljes së lindjeve (që sigurisht është një faktor). Ministria e Arsimit ka mbushur hapësirat e saj me rregullore e kode që harrohen për tre muaj. Ja disa të vërteta të sistemit të sotëm arsimor në Shqipëri që po i listoj jo domosdoshmërish sipas “rëndësisë”.
1. Cilësi e dobët në përmbajtjen e teksteve shkollore ose përkthim jo i përshtatshëm (thuhet që libri nuk është burim i domosdoshëm, por nxënësi e ka përditë në çantë dhe për atë bëhet lufta më e madhe mes shtëpive botuese, pa llogaritur faktin që mësuesit e rinj e kanë si busull orientuese).
2. Infrastrukturë e pamjaftueshme. Ambiente të amortizuara dhe shpesh të mbingarkuara me nxënës në zonat urbane, çka e bën të vështirë punën me teknika mësimdhënieje me bazë lojën dhe konkretizimin.
3. Metoda tradicionale të mësimdhënies, që nuk përputhen me kushtet e reja që dikton koha.
4. Mungesë trajnimesh praktike dhe efektive për mësuesit (mbizotërojnë trajnimet teorike sa për të fituar kreditet e nevojshme sipas Dispozitave Normative) edhe pse u trumbetua me të madhe plani i zhvillimit profesional të mësuesve.
5. Programe mësimore të pakoordinuara (sasi e madhe lëndësh, por jo gjithmonë funksionale për jetën).
6. Vlerësim i bazuar në memorizim të fakteve teorike, me teste që shpesh janë jashtë standardeve.
7. Mungesë integrimi e teknologjisë në mënyrë efektive.
8. Motivim i pakët i mësuesve, korrupsioni dhe nepotizmi
9. Mungesë lidhjeje me tregun global të punës.
Dhe lista nuk mbyllet këtu… sa e sa gjëra ka…
Por t’u kthehemi pak statistikave. Në vitin shkollor 2024-2025 kemi një rënie prej 1.5% krahasuar me vitin e kaluar dhe mbi 10% më pak studentë në universitetet shqiptare krahasuar me 5 vite më parë). Në krahasim me vendet e rajonit, arsimi ruan çik më shumë stabilitet edhe pse ka emigrim. Numri i nxënësve në arsimin privat rritet, çka tregon se prindërit nuk i besojnë më shkollës publike. Kjo po krijon një ndarje të dukshme sociale; kush ka mundësi paguan për shkolla private dhe kush nuk ka, mbetet në sistemin publik “të varfër”. Më shumë se gjysma e prindërve mendojnë se shkolla publike nuk i përgatit fëmijët për tregun e punës dhe për të ardhmen. Kjo humbje besimi është tregues më i fortë se çdo raport ministrie apo kod e rregullore. Shkolla duhet të ofrojë më shumë se mësim teorik: transport, mbështetje psikologjike, ushqim, aktivitete jashtëshkollore, të cilat mungojnë pothuajse plotësisht. Ndërsa mësuesit, ata që punojnë me të ardhmen tonë, meritojnë respekt, vlerësim dhe motivim. Edhe pse mbetem zë kritik, në këtë ditë ku kujtohet vlera e mësuesit, uroj suksese për gjithë armatën e dijes me këshillën që secili të bëjë më të mirën për të ndërtuar një shoqëri të konsoliduar sot dhe një të ardhme më të sigurt nesër!
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit!
/Gazeta Panorama