Legjionarët/ Barazim në duelin Hysaj-Asllani, Berisha e Ramadani marrin fitoren e parë, Strakosha pret penallti me AEK
Fundjavë poztive për legjionarët tanë kuqezi që luajnë në Evropë. Në Itali të shtunën dueli mes Hysaj dhe Asllanit përfundoi në një barazim dramatik 3-3. Të dy futbollistët shqiptar u aktivizuan përgjatë gjithë ndeshjes, teksa Hysaj zhvilloi një paraqitje tepër pozitive në krahun e djathtë, ndërsa Asllani ishte regjizori në mesin e fushës për ekipin granata. Ish mesfushori i Interit madje iu afrua edhe golit teksa në pjesën e parë goditi mjaft bukur fluturimthi, por do të ishte Provedel që do ta ndalte topin që po shkonte drejt rrjetës. Fitore shumë e rëndësishme për Leçen e Ylber Ramadanit dhe Medon Berishës. Ramadani luajti për 90 minuta ndërsa Berisha për 88 minuta, me ekipin e Di Françeskos që doli me 3 pikë nga transferta ndaj Parmës, duke siguruar të parën fitore sezonale.
30 minuta lojë aktivizm për sulmuesin e kombëtares tonë, Armando Broja në sfidën Aston Villa-Burnley. Broja nuk mundi dot të ndihmonte ekipin e tij që u mund sërish.
Ndërkohë pavarësisht se nuk mundën dot të merrnin një ftesë nga Sylvinho për sfidën ndaj Serbisë, Seferi dhe Shpendi u përgjigjën me gola këtë fundjavë. Dopietë dhe asist për Taulant Seferin në ndeshjen ku ekipi i tij Bodrumspor arriti të fitonte me shifrat e thella 5-0 ndaj Hatayaspor në ligën e dytë të kampionatit turk, me ekipin e Seferit që merr kryesimin në kampionat.
Paraqitje pozitive edhe për portierin e kombëtares tonë, Thomas Strakosha, me AEK që fitoi vetëm në fundin e sfidës në transfertë ndaj Kifisas 2-3, duke marrë kryesimin në Superligën greke. Protagonist portieri kuqezi që arriti të presë një 11 metërsh që në nisje të përballjes.
© BalkanWeb