Ambientim i shpejtë Çelikoviçit, grupi i Vllaznisë drejt plotësimit
Dita e diel dhe fillimi i kësaj jave janë rezervuar pushim për futbollistët e Vllaznisë. Kështu duke përfituar edhe nga ndalimi i kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares shqiptare, kuqeblutë do rikthehen në fushën stërvitore në mesin e kësaj jave.
Në këtë mënyrë këto ditë do shërbejnë jo vetëm për pushim, por edhe rikuperim të plotë të disa futbollistëve te Vllaznia. Kështu emra si Qato dhe Kuros, të cilët kanë pasur shqetësime më serioze se të tjerët do kenë kohën e duhur për të kaluar këtë moment. Kështu që të jenë të gatshëm për Martinin në rikthimin e kampionatit dhe aktivitetit të zakonshëm.
Po ashtu këto ditë do shërbejnë edhe për Bismark, me sulmuesin, i cili ende nuk është rikuperuar në 100%, i cili ndeshjen ndaj Elbasanit e ndoqi nga tribuna. Duke mos qenë i gatshëm as në stol për 9 herë kampionët e vendit tonë. Për t’u shtuar është rikuperimi i plotë i Jukajt, me portierin që gjatë këtyre ditëve do përpiqet të kapë formën maksimale. E të rivalizojë për një vend titullari me Pohls tashmë, ku portieri gjerman ka treguar një formë pozitive në javët e fundit në kampionat.
Teksa situata me dëmtimin nuk duket aq serioze për Muratajn, i cili e nisi nga stoli ndeshjen ndaj Elbasanit. E po ashtu këto ditë do jenë për ambientimin dhe kapjen e formës maksimale edhe të Jasmin Çelikoviç, me mbrojtësin e afruar së fundmi në radhët e skuadrës shkodrane. Kështu me rikthimin e kampionatit, Vllaznia pritet ta ketë grupin totalisht të plotë. Një fakt që i bën shkodranët akoma edhe më të “frikshëm” dhe pretedentë për të mbajtur kryesimin e kampionatit.
© BalkanWeb