Bylisi kërkon reagim, Josa bën analizë për rikthimin te fitoret
Disfata në Durrës nuk ishte aspak e pritshme, sidomos duke parë që Bylisi zhvilloi një ndeshje të mirë, goditi traversën dhe dominoi në mbajtjen e topit.
Për më tepër, ballshiotët patën pretendime te goli vendimtar, pasi sipas tyre ai erdhi pas një faulli të qartë ndaj një lojtari të tyre. Megjithatë, që nga sot skuadra do të zbresë sërish në fushë për të analizuar humbjen në Durrës dhe për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës në kampionat, atë kundër Vllaznisë, që do të luhet më 19 tetor në Ballsh.
Një tjetër duel mjaft i fortë, ku skuadra e Josës duhet të reagojë për të mos humbur terren në renditje. Kjo periudhë pauze, për shkak të ndeshjeve kualifikuese të Kombëtares A, vjen në ndihmë për Bylisin. Jo vetëm që stafi teknik ka kohë për të bërë analizat e nevojshme, por edhe disa lojtarë që kanë pasur probleme fizike do të kenë mundësi të riaftësohen plotësisht.
Në Ballsh priten shumë nga afrimet e verës, si mbrojtësi Karmona dhe sulmuesi Uankevai, të cilët erdhën me shumë bujë, si edhe nga togolezi Haxhi Idrisu, një mbrojtës shtatlartë e i fortë fizikisht, që për momentin ka marrë minuta me ekipin B në dy javët e para. Trajneri Mirel Josa dhe klubi pritet të zhvillojnë një analizë të thelluar, jo vetëm për humbjen e fundit, por për të gjithë gjashtë javët e para të kampionatit, ku Bylisit nuk i kanë dalë llogaritë me pikët.
Skuadra mallakastriote ka investuar shumë gjatë verës, duke përforcuar çdo repart dhe dubluar çdo rol, çka ka shtuar dukshëm konkurrencën brenda grupit. Megjithatë, përtej lojës së mirë në shumë ndeshje, fati nuk ka qenë në anën e Bylisit, ndërsa në disa raste edhe gjykimi ka ndikuar. Kjo periudhë do të shërbejë si një mini-fazë përgatitore në prag të përballjes me Vllazninë, me skuadrën që pritet të qëndrojë e grumbulluar për të punuar në qetësi.
Deri në fund të fazës së parë, ballshiotët kanë një kalendar të ngjeshur e të vështirë, presin Vllazninë në Ballsh, udhëtojnë drejt Elbasanit dhe e mbyllin fazën sërish në shtëpi ndaj Vorës. Tre sfida që do të tregojnë shumë për ambiciet dhe forcën reale të këtij Bylisi. Të besuarit e trajnerit Josa kanë kohën e duhur për të përgatitur duelin me shkodranët, për shkak të ndërprerjes së kampionatit, dhe në fundjavë mund të zhvillojnë edhe ndonjë ndeshje miqësore,
© BalkanWeb