Komuna e Prishtinës nis rrënimin e mbindërtimit në banesën e Juliana Nurës
Një muaj pas raportimeve për ndërhyrje pa leje në një kompleks banesor në lagjen Lakrishte të Prishtinës, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë veprimet e para konkrete: ka nisur rrënimin e punimeve të dyshuara pa leje në banesën që i përket Juliana Nurës, finalistes së parë të “Big Brother VIP Kosova”.
Në fillim të shtatorit, disa banorë të kompleksit kishin ngritur shqetësime për punime të pazakonshme në katin e sipërm të ndërtesës. Ata pretendonin se po kryheshin shtesa ndërtimore pa leje dhe se mungonin kushtet e sigurisë, duke rrezikuar banorët e tjerë. Pas reagimeve, Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, konfirmoi për media se gjatë kontrollit në terren ishin gjetur punëtorë aktivë dhe se ishte konstatuar “tentativë për mbindërtim”. Pronarit të objektit iu dha një afat prej 7 ditësh për rrënim vullnetar të ndërhyrjeve.
Sot, pas më shumë se një muaji, procesi i rrënimit ka hyrë në fazë zyrtare. Procesi po zhvillohet nën mbikëqyrjen e autoriteteve komunale dhe strukturave të sigurisë, për të shmangur çdo incident gjatë rrënimit.
Juliana Nura, ndonëse nuk ka bërë një deklaratë të drejtpërdrejtë, ka reaguar përmes një story në Instagram.
Në postimin e saj, ajo ka ndarë një mesazh që lidhej me padrejtësitë institucionale, duke shkruar:
“Edhe unë valla kam me ja nisë me fol çka ndodh në këtë shtet.”
Ky reagim është interpretuar si pakënaqësi ndaj mënyrës se si po trajtohet situata, ndërsa ndjekësit e saj kanë ndarë komente të shumta në mbështetje.