Pauza ndal Bayern-in, Kompany i druhet dëmtimeve, 13 futbollistë largohen me kombëtaret
Pauza për ndeshjet ndërkombëtare vjen në një moment aspak të favorshëm për Bayern Munich. Gjigandët bavarezë janë në një formë të jashtëzakonshme, me dhjetë fitore radhazi mes kampionatit dhe garave ndërkombëtare, një seri që tani ndërpritet për shkak të angazhimeve me përfaqësueset.
Por nuk është vetëm çështja e ritmit sportiv ajo që shqetëson trajnerin Vincent Kompany. Siç ndodh shpesh gjatë këtyre ndërprerjeve, rikthehet frika e dëmtimeve të lojtarëve.
Kujtimi i lëndimit të rëndë të Alphonso Davies në marsin e kaluar, teksa luante për kombëtaren e Kanadasë, është ende i freskët në ambientin bavarez.
Këtë herë janë plot 13 lojtarë të Bayern që janë grumbulluar me kombëtaret e tyre. Emra si Kimmich, Goretzka, Gnabry dhe Tah për Gjermaninë; Upamecano dhe Olise për Francën; kapiteni Harry Kane me Anglinë; Konrad Laimer për Austrinë, Luis Díaz për Kolumbinë, Nicolas Jackson për Senegal dhe Min‑Jae Kim për Korenë e Jugut – edhe pse ky i fundit vuan një shqetësim të lehtë fizik.
Ndërkohë, disa lojtarë si Stanisic dhe Manuel Neuer qëndrojnë në Mynih për t’u rikuperuar dhe për të ndjekur programe të personalizuara stërvitore.
Në kampin bavarez, të gjithë shpresojnë për një gjë: që të gjithë lojtarët të kthehen të padëmtuar dhe të gatshëm për të vazhduar rrugëtimin e suksesshëm në Bundesliga dhe në Champions League.
© BalkanWeb