Wed, Oct 8, 2025

Offset pranon tradhtinë ndaj Cardi B: Bëra shumë gabime, duhet ta kisha respektuar

  • PublishedOctober 8, 2025

Offset pranon tradhtinë ndaj Cardi B: Bëra shumë gabime, duhet ta kisha respektuar

Reperi amerikan Offset, i njohur në jetën reale si Kiari Cephus, ka folur për herë të parë me ndershmëri mbi prapaskenat e martesës së tij me Cardi B, duke pranuar se gabimet dhe tradhtia e tij çuan drejt përfundimit të lidhjes shtatëvjeçare. Gjatë një interviste në programin “Baby, This Is Keke Palmer”, artisti 33-vjeçar u shpreh se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë perfekte dhe se përgjegjësia për ndarjen i takon të dyve.

“Absolutisht nuk isha perfekt në atë situatë. Bëra shumë gabime. Ka shumë gjëra që i bëra gabim, dhe ajo gjithashtu bëri gabime,” – tha Offset.

Ai shtoi se përjetimi i ndarjes nën vëzhgimin e publikut e ka bërë procesin shumë më të vështirë emocionalisht.

“Duhet ta kisha respektuar shumë më tepër. Mora vendime të këqija si burrë, si për shembull tradhtinë,” – pranoi reperi.

Offset rrëfeu se pas tradhtisë, ai e kuptoi se duhej të pranonte vendimin e Cardi B për t’i dhënë fund martesës në korrik të vitit 2024. Megjithatë, ai theksoi se pavarësisht ndarjes, fëmijët e tyre mbeten prioriteti kryesor për të dy prindërit.

“Ne mund të mos jemi më bashkë si çift, por do të jemi gjithmonë bashkë si prindër,” – përfundoi ai.

Kujtojmë se raporti i tij me Cardi B ka qenë këto kohë në qendër të vëmendjes për shkak të deklaratave të tyre.