Thu, Oct 9, 2025

Kosova, flet Foda: Jemi gati, ndaj Sllovenisë i kam idetë e qarta

  • PublishedOctober 9, 2025

Kosova, flet Foda: Jemi gati, ndaj Sllovenisë i kam idetë e qarta

Tekniku i Kosovës, Franco Foda tregoi këndvështrimin e tij para ndeshjes ndaj Sllovenisë, takim ky i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit.

“Jam përballur dy herë me Slloveninë si trajner i Austrisë. Është një skuadër me mbrojtje shumë të mirë, ndaj për ne është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm prapa dhe të shfrytëzojmë rastet përpara për të shënuar gola”, deklaroi Foda.

Ai konfirmoi se atmosfera në ekip është pozitive dhe se të gjithë lojtarët janë të gatshëm për lojë, përveç mbrojtësit Lumbardh Dellova, i cili mungon për shkak të lëndimit.

“Atmosfera është shumë e mirë. Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë. Jam i bindur që në fushën tonë dhe para tifozëve tanë do të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer,” shtoi përzgjedhësi i Kosovës.

Foda beson se kualifikimi do të vendoset në xhiron e fundit të grupit.

“Grupi është shumë i fortë dhe i balancuar. Ne do të luftojmë deri në fund dhe në ndeshjet e fundit do të shihet kush do të kualifikohet,” tha ai.

Optimizëm ka shprehur edhe portieri i Kosovës, Aro Muriç, i cili theksoi rritjen e ndjeshme të kombëtares gjatë viteve të fundit.

“Nëse kthehemi pas në kohë dhe shohim zhvillimin tonë, është i madh. Shumë nga lojtarët tanë luajnë në ekipe të njohura evropiane. Nesër kemi mundësinë ideale për të treguar këtë përparim,” tha Muriç.

Ai falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.

“Përkrahja e tifozëve na ndihmon shumë. Jemi mirënjohës për ta dhe duam t’i gëzojmë me një fitore,” përfundoi portieri i Dardanëve.

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net