Ndarja me Getinjon dhe deklaratat ndaj tij, Vivien Thano: Isha në një periudhë të errët
Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Vivien Thano, ka qenë e ftuar në “Top Albania Radio”, ku ka rrëfyer më shumë rreth marrëdhënies së saj me reperin Getinjo, me të cilin u lidh gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme.
E pyetur nga moderatori për arsyen e ndarjes, Vivien rikujtoi deklaratën e saj të mëparshme ku kishte thënë se shkak ishte varësia e Getinjos ndaj lojërave të fatit. Thano shtoi se gjithmonë ka zgjedhur të jetë e drejtpërdrejtë, edhe pse kjo i ka kushtuar në marrëdhënie me njerëzit.
“Herën e fundit që jemi takuar, që bëmë atë intervistën e famshme që plasi bomba gjithandej, edhe unë kam qenë në një gjendje emocionale shumë të rënduar. Kam qenë në periudhë shumë të errët, kisha rënë tek një gropë, që do bëj gjithçka në jetën time vetëm që të mos ta shikoj më veten ashtu”, u shpreh ajo.
Tutje shtoi: “Unë jam gjithmonë ‘drejt e drejtë’, ndoshta edhe se jam këtu ku jam, si për mirë e si për keq, kam humbur por dhe kam fituar shumë njerëz e shumë gjëra, vetëm prej faktit që unë jam kështu. Nuk më pëlqen që t’i bëj bishta gjërave. Ai muhabet, ishte një fakt që nuk është se e thashë unë, se edhe ai vetë e kishte shprehur në këngë e vende të tjera”.
Në pyetjen nëse Getinjo vazhdon të jetë ende i varur nga lojërat e fatit, Vivien u tregua e rezervuar:
“Nuk e di, nuk e kam idenë. Kam folur me disa shokë të tij që më kanë shkruar, edhe ata duken si dyshues. Por mua nuk më intereson më. I uroj vetëm më të mirat, sepse ka qenë një person i rëndësishëm për mua. Por kaq është. Jeta është njëkohësisht e bukur dhe e frikshme.”