Thu, Oct 9, 2025

Një start i shkëlqyer, ja si po ndryshon Vllaznia me Martinin

  • PublishedOctober 9, 2025

Një start i shkëlqyer, ja si po ndryshon Vllaznia me Martinin

Vllaznia zhvilloi një merkato shumë aktive në periudhën e verës, duke larguar 12 futbollistë e duke afruar 8 të tjerë. Në këtë mënyrë shkodranët ndryshuan shumë nga fytyra e sezonit të shkuar dhe në edicionin aktual 2025-26, kuqeblutë janë një skuadër thuajse totalisht tjetër.

“Panorama Sport” ka analizuar ndryshimet në formacionin shkodran dhe rezulton që 5 nga titullarët e këtij edicioni janë të ndryshëm në krahasim me atë paraardhës. Ndryshimi ka ardhur tek 9 herë kampionët e vendit fillimisht që nga stoli, ku nga skuadra u largua Tomas Brdariç e në krye të ekipit është vendosur Edi Martini. Teksa ndryshime ka pasur përsa i përket rolit të drejtorit teknik, ku vendin e Tefik Osmanit e ka zënë tashmë Vioresin Sinani.

Këto ndryshime në stafin teknik kanë reflektuar edhe në ndryshime në sistemin e lojës së Vllaznisë. Me kuqeblutë që më parë luanin me një skemë 4-3-3 e ndërsa aktualisht me Martinin në drejtim skema më e përdorur ështe ajo 3-5-2. Ndryshimet kanë ardhur që nga porta, ku këtë edicion duke përfituar edhe nga një dëmtim i Jukajt, si titullar po luan Pohls. Po ashtu në mbrojtje ka pasur një “revolucion”, me te larguar si Stojanoviç, Juriç, Repaj apo edhe Spahija, të cilët janë zëvendësuar nga emra si: Gjini, Kuros e së fundmi edhe Çelikoviç.

Mesfusha ka pasur pak largime me peshë tek kuqeblutë, por futbollistë të cilët sezonin e kaluar ishin titullarë si Sala apo Qato, këtë edicion janë “spostuar” nga emra si: Dros, Kallaku dhe Murataj. Të cilët i kanë dhënë skuadrës një stil totalisht tjetër, me kuqeblutë që po luajnë një futboll shumë më sulmues dhe dominues se në edicionet e shkuara.

Faza ofensive si zakonisht në 3 edicionet e fundit vijon të udhëhiqet nga Bekim Balaj. Por, shokët e repartit kanë ndryshuar për shtatlartin, i cili më parë kishte përkrah emra si: Gruda apo Çoba e ndërsa këtë edicion duhet ta “ndajë” skenën me Kastratin apo Bismark. Ndryshime të shumta në radhët e 9 herë kampionëve të vendit, të cilat deri më tani kanë rezultuar efikase. Me shkodranët që pas 6 raundeve të para udhëheqin Superioren me 13 pikë të grumbulluara, duke shënuar 11 gola e duke pësuar 5 të tillë.

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net