Shqipëria mbyll sot përgatitjet, jo vetëm Serbia, fatin e vendit të 2-të në grup e vendos…Anglia
Shqipëria do të mbyllë përgatitjet e fundit në tokë shqiptare, me djemtë kuqezi të Sylvinhos që do të zhvillojnë seancën stërvitore në ambjentet e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet. Në stërvitjen e fundit, grupi ishte i plotë, teksa dallohej qartë harmonia dhe batutat mes lojtarëve të ekipit tonë kombëtare. Një frymë positive brenda grupit pak para nisjes drejt Serbisë, aty ku Shqipëria do të sfidojë kombëtaren e Dragan Stojkoviç në atë që mund të jetë sfida deçizive për fatin e ekipit tonë kombëtar, për të vijuar ëndrrën drejt Botërorit 2026.
E ndërsa thuajse të gjithë nënvizojmë rëndësisnë e ndeshjes të së shtunës në Leskovac, dashur pa dashur harrojmë se do të jetë liderja e grupit K Anglia ajo që me shumë gjasa do të vendosë mbi fatin e kombëtares sonë dhe asaj serbe. Kjo për një asryse tepër të thjeshtë. Në dy raundet e fundit në grupin eleminator, “Tre Luanët” do të sfidojnë fillimisht Serbinë në Londër më 13 Nëntor dhe 3 ditë më vonë do të jenë mysafir në “Air Albania” për ndeshjen e fundit në grup atë ndaj ekipit tonë përfaqësues. Edhe në rast një rezultati pozitiv të shtunën, ku do ta mbanim prapa kombëtaren serbe në renditje, sërish do të jetë ekipi i Tuchel që me shumë gjasa do të jetë i kualifikuar matematikisht dhe në dy raundet e fundit mund të ndikojë vërtet shumë në fatin e Shqipërisë dhe Serbisë për vendin e dytë në grup aq shumë të dëshiruar, që do të garantonte pjesëmarrjen në fazën e “Play-off”.
© BalkanWeb