Wed, Dec 24, 2025

Kadare mes dy qytetërimeve

Kadare mes dy qytetërimeve
  • PublishedOctober 11, 2025

NGA AGRON GJEKMARKAJ agron gjekmarkaj

Këshilli Bashkiak i Parisit vendosi me unanimitet vendosjen e një pllake përkujtimore në nder të Ismail Kadaresë, në adresën ku ai jetoi dhe krijoi në Paris, si njohje për kontributin e tij në letërsinë botërore.

Në Francë, ai u nderua me çmime të mëdha dhe u vlerësua si një prej figurave kryesore të kulturës botërore! Në Shqipëri, në vendin e tij, megjithatë, nuk gjendet asnjë rrugë, asnjë shkollë, asnjë monument që të mbajë gjallë kujtimin e tij. Francezët u kujtuan para nesh! Kadare u përcoll me një ceremoni të zbehtë gati mediokre e plot nxitim dhe u varros në një vend të thjeshtë, duke reflektuar një mungesë të thellë vlerësimi për veprën që ka ngritur emrin e kombit në botë. Protagonist i asaj ceremonie qe Kryeministri dhe jo Kadare!

Kjo heshtje dhe indiferencë nuk është rastësi. Është si një virus i vjetër i mosmirënjohjes, që ka infektuar mentalitetin tonë kolektiv dhe na pengon të nderojmë ata që na kanë bërë krenarë. Në këtë virus, shohim vazhdimësinë e një tradite ku mendimi i lirë dhe madhështia kulturore shpesh janë injoruar ose shtypur – një trashëgimi e një mentaliteti autoritar , neotoman e komunist, që ka shtrirje të thella në historinë tonë. Skënderbeu, Bogdani, Budi, Fishta, Konica, Poradeci, Kuteli, Camaj, Arshi Pipa, Koliqi – të gjithë janë dëshmi të një historie dhimbjeje dhe përjashtimi, shpesh nga vetë shoqëria shqiptare. Ismail Kadare, njëri prej tyre, më i njohuri shkrimtar shqiptar në botë, mbetet një dritë, që ndiqet më shumë jashtë sesa brenda atdheut të tij.

NË PARIS, AI KA SOT NJË PLLAKATË!

Në Shqipëri, vetëm heshtje dhe harresë. Sa qe gjallë një shpurë servilësh që udhëtonin mes tij e pushtetit e ndiqnin nga pas! Ata të gjithë heshtin teksa lëpijnë ndonjë kockë! Unë dyshoj që ministri aktual i Kulturës të ketë lexuar ndonjë vepër të Kadaresë! Unë dyshoj që të dijë vlerën e ndonjë gjëje i sigurt që i di çmimin e çdo gjëje! Unë nuk dyshoj që kultura dhe emrat e saj i shkaktojnë atij teshtima si dhive në brymë! Për sa kohë jemi në këto kushte, i bie vetëm të konstatojmë e të mërzitemi sipas terezisë! Kadare e ka atdheun e tij e ka gjithmonë një strehë, Europën! Shqipëria ka nevojë për të, shqiptarët po aq! Dje, sot dhe nesër!

/Gazeta Panorama