Princ Leka dhe Blerta Celibashi kurorëzojnë dashurinë me një dasmë magjike në jug të vendit
Princ Leka dhe partnerja e tij, Blerta Celibashi, i kanë dhënë fund beqarisë në një ceremoni madhështore, e cila është mbajtur në fshehtësi të plotë, larg syrit të publikut. Pamjet e para janë publikuar duke zbuluar atmosferën e jashtëzakonshme të kësaj dite të veçantë.
Dasma është zhvilluar në një ambient luksoz, në Kepin e Merlit, buzë detit, mes një dekori plot elegancë dhe detajesh të kuruara me shumë shije. Në një nga fotot që po qarkullojnë në rrjete sociale, çifti shihet mbi një platformë të bardhë, me sfondin e kaltër të detit që e bën momentin edhe më përrallor.
Blerta ka mahnitur me një fustan të gjatë ngjyrë bezhë, i cili theksonte finesën dhe thjeshtësinë e saj, ndërsa Princi kishte zgjedhur një kostum klasik e elegant, në harmoni të plotë me atmosferën e ceremonisë.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve është organizimi i tryezave, ku çdo element dukej i menduar deri në detaj nga lulet e bardha te ndriçimi romantik. Në një prej tyre vihej re një fletë me emrin “Leka II & Blerta”, e dizenjuar në formën e një guaske, simbol i dashurisë dhe pastërtisë.
Me këtë ceremoni intime, Princi Leka dhe Blerta Celibashi kanë zyrtarizuar një histori dashurie që ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e publikut.