Sun, Oct 12, 2025

Kalendar “ferri”, të kuqtë e Partizanit mësojnë axhendën e 5 javëve të ardhshme

  • PublishedOctober 12, 2025

Kalendar “ferri”, të kuqtë e Partizanit mësojnë axhendën e 5 javëve të ardhshme

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar axhendën për pesë javët e ardhshme të Superiores. Emocionet e elitës së futbollit shqiptar rikthehen në fundjavën e ardhshme. Situata për Partizanin është mjaft delikate, duke qenë në vendin e parafundit të renditjes. Tashmë është e zyrtarizuar, që takimi ndaj Flamurtarit do të luhet më 19 tetor.

Kjo datë përkon me të dielën e javës së ardhshme. Ora 17:00 është caktuar për takimin në fjalë. Më pas Partizani do të kthehet si klub pritës. Për javën e tetë do të luhet ndeshja me Egnatian. Ky takim do të mbahet prej orës 17:00, pikërisht më 25 tetor(e shtunë). Sfida në “Arena e Demave” do të mbyllë edhe fazën e parë të Superiores për kryeqytetasit.

NDRYSHIMET- Java e nëntë do të sjellë ndryshim. Derbi Dinamo-Partizani nuk mund të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”, për shkak se në të njëjtën kohë është programuar ndeshja Tirana-Elbasani. Dinamo pritet të rikthehet kështu në “Elbasan Arena”, teksa sfida është programuar për datën 29 tetor(e mërkurë) në orën 19:30. Të kuqtë do të provojnë për herë të parë stadiumin e Vorës, më 3 nëntor(e hënë). Ora e pazakontë, 14:00, është për shkak të mungesës së ndriçimit.

DURRËS- Partizani do të kthehet në “normalitet”, përsa i përket axhendës, në sfidën ndaj Teutës. Transferta me durrsakët është programuar për datën 9 nëntor(e diel), ora 17:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Nën dritën e prozhektorëve dhe në fundjavë, shpresat që janë deri atëherë gjithçka të jetë rikthyer në normalitet.

TRANSFERTAT- Kryeqytetasit kanë një kalendar me të vërtetë sfidues në javët e ardhshme. Rezulton se vetëm një takim do të luhet tek “Arena e Demave”. Katër përballjet e tjera janë transferta. Vlorë, Elbasan, Vorë dhe Durrës për të kuqtë, që nuk ndodhen në momentin e duhur.

Pesë ndeshje do të luhen në tri javë. Skuadra me Oltijon Kërnajën do kërkojnë të dalin nga situata e vështirë. Katër humbjet radhazi ku e fundit ishte pikërisht në derbin me Tiranën, rënduan gjendjen.

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net