Kujdes kur qesh pushteti!
BEN ANDONI
Gjëja që prekim dhe ndjejmë shpesh në qeverisjen tonë të viteve të fundit është e qeshura e pushtetarëve. Dalin të qeshur nga SPAK-u, ashtu si dalin të buzëqeshur nga një aktivitet ose konferencë ku flitet për çështje të ndërlikuara ekonomike, e me po aq patos dhe me sytë e rendura në horizonte na përshfaqen ku flasin për politikën. Ish-kryeministri Berisha buzëqesh edhe kur thotë ose artikulon gjënë më të hidhur, ndjekur me ngazëllim nga deputetët dhe militantët e vet te PD-ja; njësoj tek PS-ja, ku e qeshura e Ramës është e pranishme nga Tirana dhe madje e deri në çdo samit apo panel ndërkombëtar, ku kryeministri shqiptar beson se me humor dhe me fuqinë e groteskut mund të shpjegojë kohën tonë. Pastaj, shkëmben batuta me kryeministra që qeshin me shpirt, ndërron gazin me qytetarë dhe fshatarë dhe duket se në vendin tonë rregulli, paqësia, demokracia e funksionimit të pushtetit dhe normaliteti mbizotërojnë kudo në një parajsë të vërtetë mbi tokë. Ministrat e Ramës gati e imitojnë në formën më skajore të qeshurën dhe patosin e tij, derisa kthehen në ferrin e kritikave dhe heshtjen para autoritetit kryeministror në mbledhjet dhe asambletë partiake, ku shndërrohen shpesh në numërorë të heshtur. Duket se pak e shohin honin që po hapet tashmë në këmbët tona nga mungesa e demokracisë, përçudnimi i saj dhe nga një jetë krejt e pa qëllime. Presidenti Makron që po kalon në një situatë tejet të rëndë në vendin e tij, ishte deri diku pragmatist, pak kohë më parë kur artikuloi se: “Nuk duhet të jemi naivë. Brenda po kthehemi kundër vetes. Dyshojmë në demokracinë tonë… Shohim kudo se diçka po i ndodh strukturës sonë demokratike. Debati demokratik po shndërrohet në një debat urrejtjeje”. Si dy pika uji e thënë edhe për vende si yni, ku urrejtja dhe kotësia kanë zëvendësuar tashmë gjithçka.
Në fakt, e qeshura i ka braktisur prej kohësh shqiptarët e thjeshtë, paçka se gjithnjë e më shumë ajo është shndërruar në një syresh të hidhur dhe bëhet për paradokset e pafundme që shoqërojnë përditshmërinë tonë. Mosbesimi, hidhësira, mos gjetja e përgjigjeve për çështje gati normale dhe pakënaqësia e kanë bërë shtetin tonë jo vetëm të mos funksionojë nga ana politike, por të mbarset me problemet të pazgjidhshme sociale. Shikimi i realitetit është i hidhur: Numri i studentëve në Arsimin e Lartë po rrudhet në formë gati drastike për çdo vit. Nga rreth 117 mijë studentë në vitin 2016, në vitin 2024 numri ka rënë në rreth 86.900 syresh, duke e paraqitur hapur tranzicionin demografik të vendit bashkë me rënien e lindjeve dhe emigracionin e lartë të të rinjve (Monitor, 2025). INSTAT-it edhe pse mund të druhesh nga besueshmëria, tregon se: rënia neto e popullsisë së Shqipërisë më 1 janar 2025 krahasuar me një vit më parë ishte 1.2 për qind apo minus 29 mijë persona, duke i zbritur shqiptarët në numrin e 2.3 milionë banorëve. Dhe, ata që e njohin Shqipërinë në funksionimin e saj e dinë mirë sesa është shtuar varfëria, sesi jeton shqiptari në skajet e vendit ose makar dhe pak kilometra larg qendrës së Tiranës; si politikat sociale janë pa ndikim; kurse boshllëku ekonomik dhe financiar është rritur ndërsa politikat janë në favor të pasunarëve dhe investitorëve strategjikë. Tmerri i shifrave që raportohen nga ana e ekonomisë kriminale, por edhe e të dhënave të tjera e bën gati të lodhshme betejën me paranë informale ardhur nga droga dhe fenomenet e tjera. Drejtësia po bëhet një kapitull tejet zhgënjyes me malin e dosjeve të mbartura dhe cilësinë e gjykimit. Shtresa e mesme lufton me një intensitet të madh për të mbajtur standardet më normale të jetës, ekuilibrin në pasigurinë e punësimit dhe kujdesin ndaj politikave të administratës (lexo përshtatshmërinë me shefat). Në këtë qerthull, ku mungon që nga meritokracia e deri te normat bazë të moralit, e vetmja gjë që ka mbetur është kujdesi të jesh politikisht korrekt dhe të mos kalosh hijen e Njëshit. Është një kategorizim simbolik që vjen qysh nga i pari i vendit me të cilën identifikohet kryeministri dhe vazhdon me Një-shat e tjerë (më të vegjël në peshë) administratorët e tjerë të shtetit, vartës të tij, të cilët ndjekin po të njëjtën politikë me vartësit, që u përcjell atyre Rama. Gjithçka është e centralizuar dhe e kontrolluar.
E vetmja gjë që ka mbetur në kohën tonë është të qeshësh. Por edhe ajo ndjenjë, jo pak herë të mbetet në grykë, pasi parimet demokratike tani konceptohen si çështje abstrakte. Dhe, duke marrë shembullin e vendit tonë: parimi se demokracia është forma e qeverisjes më e përshtatshme është bërë gati e pakuptueshme përballë parregullsisë ku hasen shqiptarët në çdo ditë dhe ku ofendimi, vrasja, mosrespekti për karrierën, mungesën e etikës, hatëret, informaliteti po kthehen në normë, ndërsa hapësira e pastër publike po bëhet më e hidhur dhe mbushur me një egërsi të palogjikshme. Viti 2025 ishte llogaritur si cak nga Komisioni Evropian për pranimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por sot Shqipëria dhe vendet tjera përfshirë Malin e Zi dhe Serbinë gjenden ende larg, paçka targetit të ri që përfshin vitin 2030. Kjo të bën të qeshësh me premtimet e politikanëve dhe kjo ndjenjë po ndodh shpesh tek ne dhe jo vetëm në pak dromcat e humorit, por duket se në Shqipëri është përmirësuar humori për ti ikur këtij stresi, që për fat mund të futet deri në hulli shkencore. Fusha e neuroshkencës dhe psikiatrisë përcakton dy fusha të mekanizmave mbrojtës të pavullnetshëm si “mbrojtje të maturuara” dhe mbrojtje “të pamaturuara”. Humori dhe sublimimi përfshihen në kategorinë e mbrojtjes së maturuar, ndërsa vetëgjymtimi, hipokondria dhe sjellja neurotike janë në kategorinë e pamaturuar. Mark Twain e shprehte më bukur dhe më me besim paçka se shpesh u zhgënjye në të gjallë: “Raca njerëzore ka një armë vërtet efektive, dhe ajo është e qeshura”. Por kur vjen nga populli ajo duket vërtetë e hidhur. Ndaj për pushtetin, mekanizmat e tij të korrupsionit ka gjithnjë e më shumë simbolika, ashtu si për Ministrat dhe vetë liderët e lartë politikë, ku Rama dhe Berisha tashmë janë në garë për llojshmërinë e epiteteve që u mvishen prej njerëzve. “E qeshura, nëse shprehet saktë mund të bëhet varri i atyre që kanë pushtetin. Sidomos nëse ata përpiqen të shkatërrojnë njerëzit që e prodhojnë të qeshurën”, – shprehej Dario Fo në një intervistë jetësore që e bëri dikur me gazetarin e ndjerë grek Anteos Hrisostomidhis. E bukur, por e vështirë, sepse koha na ka treguar se viktima e parë është bash ai që satirizon, i cili tenton të thyejë format konformiste të jetës… Në këtë rast shqiptari i thjeshtë. Në rastin e Shqipërisë, duhet të kujtosh atë që Fo-së nuk i kujtohej referuesi: “Kujdes kur qesh pushteti, se të tregon dhëmbët me të cilët do të shqyejë”. E hidhur dhe e përballtë, por e vërtetë edhe për Shqipërinë e vitit 2025. Dhe, më gjerë. (Homo Albanicus)
/Gazeta Panorama