Çmimi Nobel në ekonomi, inovacioni motor i rritjes ekonomike
AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI
Që prej themelimit të tij në vitin 1969, Çmimi Nobel në Ekonomi ka qenë gjithmonë më shumë se një vlerësim për arritje akademike. Ai ka reflektuar sfidat, dilemat dhe ndryshimet që kanë karakterizuar ekonominë botërore në periudha të caktuara. Ndërthurja mes kohës dhe kërkimit shkencor është e pandashme — konteksti historik i jep kuptim çdo zbulimi dhe çdo vlerësimi. Në këtë kuptim, edhe Çmimi Nobel në Ekonomi është një pasqyrë e botës që e prodhon atë.
Në dekadat e fundit, ky çmim ka ndjekur ritmin e ndryshimeve të mëdha ekonomike dhe teknologjike, duke reflektuar në mënyrë të qartë tensionet mes rritjes, pabarazisë dhe transformimit global. Në vitet ‘90, çmimet iu dhanë ekonomistëve që studiuan rolin e institucioneve financiare dhe tregjeve në stabilitetin ekonomik; pas krizës së vitit 2008, fokusi kaloi te studimet mbi sjelljen e tregjeve, pasiguritë financiare dhe ekonominë e sjelljes. Ndërsa në vitin 2024, Akademia vlerësoi rëndësinë e institucioneve gjithëpërfshirëse dhe demokracisë për zhvillimin ekonomik afatgjatë. Këtë vit (2025) fokusi zhvendoset drejt një dimensioni tjetër thelbësor: inovacionit si motor i rritjes ekonomike.
Në një botë që përballet me ngadalësim të rritjes, tronditje demografike, transformim teknologjik dhe tronditje të vazhdueshme gjeopolitike dhe gjeoekonomike, vlerësimi i këtij viti përpiqet të japë përgjigje pyetjes që shoqëron çdo epokë pasigurie: si mund të ruhet zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm?
Çmimi Nobel në Ekonomi për vitin 2025 iu akordua ekonomistëve Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt “për kontributet e tyre në shpjegimin e rritjes ekonomike të nxitur nga inovacioni”. Me këtë vendim, Akademia suedeze vlerësoi tre studiues që, ndonëse kanë punuar në fusha të ndryshme — historia ekonomike, teoria e rritjes dhe ekonomia institucionale — kanë ndërtuar një vizion të përbashkët mbi mënyrën se si idetë, njohuritë dhe përparimet teknologjike formësojnë mirëqenien materiale të shoqërive moderne. Joel Mokyr, profesor i historisë ekonomike në Northwestern University, ka ndërtuar një karrierë të tërë mbi përpjekjen për të kuptuar pse Revolucioni Industrial ndodhi në Europë dhe jo diku tjetër. Ai argumenton se zhvillimi teknologjik i shekujve XVIII dhe XIX nuk ishte vetëm rezultat i shpikjeve, por edhe i ndryshimit të kulturës së dijes — një përmbysje intelektuale, që e bëri kërkimin shkencor pjesë të logjikës së përparimit. Sipas Mokyr, “ekonomia moderne nuk u ndërtua mbi avullin, por mbi idetë”. Shpjegimi i tij historik është në thelb një analizë e marrëdhënies midis dijes, institucioneve dhe inovacionit: aty ku shoqëritë inkurajuan kërkimin dhe eksperimentimin, prosperiteti u bë i qëndrueshëm; aty ku mbizotëroi frika nga ndryshimi, pasoi stanjacioni. Mokyr është autor i disa librave të njohur si: “The Economics of the Industrial Revolution” (si redaktor) (1985) “The Gifts of Athena: Historical Origins of the Knowledge Economy” (2002), “The Enlightened Economy: An Economic History of Britain”, 1700–1850 (2009), “A Culture of Growth: The Origins of the Modern Economy” (2016).
Nga ana tjetër, Philippe Aghion (Collège de France dhe London School of Economics) dhe Peter Howitt (Brown University) ndërtuan në vitin 1992 një model teorik, që ndryshoi mënyrën se si ekonomistët kuptojnë rritjen: modelin e rritjes përmes shkatërrimit krijues (creative destruction). Duke ndjekur idetë e Joseph Schumpeter-it, ata treguan se zhvillimi ekonomik është një proces i vazhdueshëm ku firmat e reja dhe teknologjitë e reja zëvendësojnë të vjetrat. Në këtë proces, fitimet e përkohshme që gjeneron një inovacion krijojnë nxitje për kërkim, ndërsa konkurrenca i detyron të tjerët të përmirësohen. Rritja, në këtë mënyrë, është produkt i një cikli të vazhdueshëm krijimi dhe prishjeje, një ekuilibër delikat mes shpërblimit dhe konkurrencës.
Aghion dhe Howitt e kthyen këtë ide në një teori të plotë ekonomike, duke treguar se niveli i inovacionit, investimi në kërkim shkencor dhe ndërtimi i institucioneve që nxisin konkurrencën janë faktorët themelorë që përcaktojnë rritjen afatgjatë. Më vonë, Aghion e zgjeroi këtë kornizë në analiza mbi lidhjen midis politikave publike, edukimit dhe inovacionit, duke theksuar se shtetet që krijojnë hapësirë për eksperimentim dhe tolerancë ndaj dështimit arrijnë të jenë më dinamike ekonomikisht. Idetë e tyre kanë qenë në qendër të veprave më të rëndësishme si: The Economics of Growth (2024) — Philippe Aghion & Peter W. Howitt, Handbook of Economic Groëth — Philippe Aghion & Steven Durlauf (redaktorë), Growth, Inequality, and Globalization: Theory, History, and Policy — Philippe Aghion & Jeffrey G. Williamson (1999), Monetary Policy in Transition: A Study of Bank of Canada Policy, 1982-8,5, The Keynesian Recovery and Other Essays etj..
Në qendër të punës së tre laureatëve qëndron një ide themelore: burimi më i rëndësishëm i pasurisë nuk është më toka apo kapitali fizik, por aftësia për të gjeneruar ide të reja. Në një epokë ku përparimi teknologjik është bërë sinonim i zhvillimit, kjo ide fiton peshë të veçantë. Por inovacioni, siç tregojnë studimet e tyre, nuk ndodh në vakum. Ai kërkon institucione të hapura, konkurrencë të shëndetshme dhe një kulturë që vlerëson risinë më shumë se stabilitetin.
Në këtë kuptim, Çmimi Nobel 2025 është edhe një reagim ndaj klimës së tanishme globale. Ekonomia botërore ndodhet në një fazë ku rritja e produktivitetit ka ngadalësuar ndjeshëm, ndërsa pasiguritë politike dhe sociale janë rritur. Sipas të dhënave të FMN-së, rritja e PBB-së globale pritet të mbetet nën 3% në vitet e ardhshme, ndërkohë që borxhi publik, tensionet tregtare dhe pasojat e krizave energjetike vazhdojnë të rëndojnë mbi ekonomitë kombëtare. Në këtë sfond, teoritë e Mokyr, Aghion dhe Howitt tingëllojnë si një thirrje për rinovim intelektual: nuk ka rritje pa ide dhe nuk ka ide pa institucione që i mbështesin.
Studimet e Mokyr tregojnë se historia ekonomike është më shumë se një arkiv faktesh, ajo është laborator i ideve. Në shekullin XVIII, Britania dhe Evropa Veriore ndërtuan një “ekonomi të dijes”, ku inovacioni nuk u konsiderua rrezik, por mundësi. Shkenca dhe tregu filluan të bashkëpunojnë dhe rezultatet u shfaqën në rritjen e paprecedent të produktivitetit. Ajo që ndodhi atëherë, sipas Mokyr, është e ngjashme me sfidën që përballet sot ekonomia botërore: të gjejë mënyra për të gjeneruar dhe përhapur njohuri në një kohë kur teknologjitë po ndryshojnë çdo dimension të jetës.
Ndërkohë, puna e Aghion dhe Howitt e zhvendos vëmendjen nga e kaluara drejt të ardhmes. Modelet e tyre ekonomike shpjegojnë pse disa vende arrijnë të ruajnë rritje të qëndrueshme, ndërsa të tjera mbeten në stanjacion. Vendet që investojnë në arsim, në kërkim shkencor dhe që ruajnë konkurrencën e lirë, krijojnë një cikël pozitivinovacioni. Ndërsa vendet që favorizojnë monopole, burokraci dhe frikë ndaj ndryshimit, bien në atë që Aghion e quan “kurthi i mungesës së inovacionit”.
Në vitin 2025, bota po përballet me disa tensione të mëdha që lidhen drejtpërdrejt me idetë e laureatëve.
Së pari, transformimi dixhital dhe përhapja e inteligjencës artificiale kanë krijuar një valë të re “shkatërrimi krijues”. Industria e automobilave, media, shërbimet financiare dhe vetë arsimi po përjetojnë ndryshime të thella strukturore. Pyetja nuk është më nëse teknologjia do të zëvendësojë punët ekzistuese, por nëse shoqëritë do të arrijnë të krijojnë mekanizma për t’u përshtatur.
Së dyti, sfida e tranzicionit të gjelbër ka bërë që koncepti i inovacionit të shtrihet përtej fitimit ekonomik — drejt mbijetesës planetare. Aghion ka argumentuar se përballja me ndryshimet klimatike kërkon “drejtim të inovacionit” përmes politikave që stimulojnë kërkimin në teknologjitë e pastra. Sipas tij, vetëm përmes konkurrencës dhe risisë mund të arrihet dekarbonizimi i qëndrueshëm.
Së treti, rreziku i stagnacionit institucional është kthyer në temë qendrore të debatit global. Siç tregon edhe historia e Mokyr, shoqëritë që ndalojnë së besuari te përmirësimi gradual humbasin energjinë e tyre krijuese. Në shumë vende të zhvilluara, burokracia, rregulloret e tepërta dhe dominimi i firmave të mëdha kanë ngadalësuar frymën e inovacionit. Kjo i bën idetë sivjetshme të Nobelit jashtëzakonisht të rëndësishme: inovacioni kërkon liri, por edhe përgjegjësi. Një nga mësimet më të vlefshme që dalin nga puna e tre fituesve është se politika ekonomike nuk mund të kufizohet në menaxhimin e tregjeve ekzistuese, ajo duhet të krijojë kushtet për tregjet e së ardhmes. Aghion ka theksuar se shtetet që investojnë në kërkim, arsim cilësor dhe startup-e teknologjike janë më elastike ndaj krizave. Po aq i rëndësishëm është edhe roli i institucioneve që mbrojnë konkurrencën dhe pengojnë krijimin e monopoleve, duke ruajtur ekuilibrin midis stimulit dhe kontrollit.
Në këtë kuptim, Çmimi Nobel i sivjetshëm është një mesazh politik po aq sa akademik. Ai thekson se ekonomia e së ardhmes nuk do të varet nga burimet natyrore, por nga mënyra se si shoqëritë menaxhojnë dijen dhe inovacionin. Dhe se kapitalizmi i shekullit XXI do të duhet të gjejë mënyra për të ruajtur dinamizmin e inovacionit pa e shndërruar shoqërinë në një fushë përçarjesh sociale.
Nga ana tjetër, vlerësimi i Mokyr, Aghion dhe Howitt është edhe një reflektim mbi kohën që po jetojmë. Pas një dekade krizash – pandemike, energjetike, klimatike dhe gjeopolitike – besimi në përparim është venitur. Diskursi publik është bërë më pesimist, ndërsa ekonomitë po përpiqen të gjejnë një ekuilibër të ri midis sigurisë dhe inovacionit.
Në këtë sfond, Çmimi Nobel në Ekonomi 2025 rikujton një të vërtetë të thjeshtë, por shpesh të harruar: përparimi nuk duhet marrë si i mirëqenë, por si rezultat i një përpjekjeje të vazhdueshme për të kuptuar dhe përmirësuar botën. Nëse në vitin 2024 Akademia na kujtoi se demokracia dhe zhvillimi ecin bashkë, këtë vit ajo na kujton se asnjë demokraci nuk mund të mbijetojë pa një ekonomi që gjeneron shpresë dhe shpresa, në fund të fundit, buron nga inovacioni.
Në një epokë të pasigurisë dhe ndryshimesh të shpejta, Çmimi Nobel në Ekonomi 2025 është një thirrje për t’u rikthyer te rrënjët e progresit: tek ideja se risia, kur bashkohet me institucione të forta dhe besim shoqëror, mbetet forca më e qëndrueshme e rritjes dhe mirëqenies njerëzore./ Gazeta Panorama