Vesa Luma ngre zërin për lojën “Roblox”: Situata është alarmante
Këngëtarja e njohur Vesa Luma ka zgjedhur të flasë publikisht për një temë që po shqetëson gjithnjë e më shumë prindër në mbarë botën, lojën virtuale Roblox, e cila megjithëse shihet si argëtuese dhe kreative, po konsiderohet një rrezik i fshehur për fëmijët.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, Vesa ka ndarë një video informuese mbi ndikimin e kësaj loje dhe ka treguar përvojën e saj personale me djalin, Lianin. Ajo ka rrëfyer se për disa ditë Liani ishte përfshirë në botën virtuale të Roblox, por falë ndërhyrjes së saj, ai arriti ta kuptojë vetë ndikimin negativ që loja mund të ketë.
“O Zot, faleminderit që më ke bërë atë nënën që disa e ‘përqeshin’ se i rri shumë gati djalit! Liani qëndroi vetëm disa ditë në Roblox, deri sa e bëmë të kuptojë vetë që është e keqe si lojë për të. Është alarmante situata,” – ka shkruar ajo.
Ky reagim i Vesës është kthyer në një thirrje të fortë për ndërgjegjësim prindëror, në një kohë kur siguria online e fëmijëve po bëhet gjithnjë e më e brishtë.
Roblox, që në pamje të parë duket si një platformë ndërtimi dhe krijimtarie për fëmijët, në fakt përmban rreziqe serioze. Përdoruesit mund të krijojnë “lojëra brenda lojës”, shpesh pa asnjë filtër për përmbajtjen, duke ekspozuar fëmijët ndaj komunikimeve të rrezikshme, gjuhës së papërshtatshme dhe varësisë digjitale.
Në disa vende, përfshirë edhe SHBA-në, janë ngritur padi ndaj kompanisë që menaxhon këtë platformë, pasi persona të rritur kanë përdorur lojën për të kontaktuar fshehurazi me fëmijë. Ekspertët e teknologjisë paralajmërojnë për pasoja të mundshme si ankthi, mungesa e përqendrimit dhe varësia emocionale nga ekrani.