Wed, Oct 15, 2025

Çfarë mbart e shpreh përqindja e ulët e votuesve…?

  • PublishedOctober 15, 2025

Çfarë mbart e shpreh përqindja e ulët e votuesve…?

XHEVAT MUSTAFA

Është për të ardhur keq e për t’u shqetësuar në masë, lart nga kryesitë e partive politike parlamentare e poshtë në shumicën e popullit, që edhe zgjedhjet për pushtetin vendor apo lokal në Kosovë më 12 tetor 2025, me përqindje të përgjithshme të votuesve në rreth 39-40% përforcuan opinionin se jemi popull me nivel të ulët emancipimi demokratik, qytetar, social, kulturor… Apo, që nuk e kuptojmë se votimi nuk është jo vetëm një e drejtë, por edhe një detyrim demokratik, shans, mundësi… për të mirën tënde si qytetar, por edhe për t’i përmirësuar organet qeverisëse, duke zgjedhur në krye e përbërje të tyre sa më shumë njerëz të aftë, të ndershëm, të përkushtueshëm ndaj interesave të popullit, të shtetit, Kombit…!

Parë nga shumica e drejtimeve dhe përfitimeve, e drejta e votës është një nga vlerat, pasuritë dhe përparësitë më të mëdha të një demokracie të vërtetë. Apo, një e mirë që qytetarët në shumicën e vendeve me të vërtetë demokratike, e vlerësojnë me ndërgjegje, si të mirëqenë e jo si detyrim i imponuar e i dhunshëm, siç ka qenë në vendet ish-socialisto-komuniste deri në fund të vitit 1990! Tek ne në Shqipëri e Kosovë, në komunat me shumicë shqiptare në MV, Malin e Zi si dhe në diasporën shqiptare janë shumë të pakta rastet kur përqindja e votuesve ka shkuar në rreth 50%. Kjo dukuri, domethënë, përqindja e ulët e votuesve apo e lartë e bojkotuesve, justifikuar kryesisht me mospajtimet dhe zhgënjimet ndaj partisë, kryetarit dhe kandidatëve të përzgjedhur të tyre, favorizon diktaturat, qeverisjet “e mykura” e “të krimbura” dhe partitë “e majta”! Kjo ndodhi edhe më 11 maj në Shqipëri! Sipas KQZ-së, përqindja e pjesëmarrjes së votuesve brenda vendit arriti në 42.16%, një shifër që reflekton aktualisht një rënie të pjesëmarrjes në krahasim me zgjedhjet e mbajtura më 2021, që ishte afërsisht 46%. Edhe në këto zgjedhje u vu re tradita rreth 35- vjeçare e gjase demokracisë: elektorati “i majtë, pra, enveristët dhe edramistët e moçëm e të rinj, edhe atë ditë shkuan si formacione ushtarake në votime, me firo minimale e të pandjeshme në rezultatin përfundimtar.

Me 99% të gjasave kështu do të ndodhë edhe në zgjedhjet e pjesshme për kryetarët e rinj në 6 bashkitë në Shqipëri, më 9 nëntor 2025! Ndërsa PD dhe opozita kanë pasur firo të ndjeshme edhe në rezultatin final, shprehur në mungesën e dëshirës për të votuar edhe nga anëtarësia dhe elektorati tradicional apo “gjenetik” si dhe nga gjase “elektorati gri” e gjase i pavarur. Kështu, në fund të fundit, elektorati “i majtë” e ushtria e “të pavarurve”, shumë më tepër dhe “bojkotuesit e djathtë” të PD-Berishës e të koalicionit të tyre, “i dhuruan” Edi Ramës mandatin e katërt, edhe pse nuk e meritonte dhe shumica nuk e dëshironin! Kjo dukuri u shpreh edhe në Kosovë, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Sipas KQZ-së, përqindja e pjesëmarrjes në votime ishte më e vogël sesa në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, ku pjesëmarrja ishte 48%. Në këto zgjedhje, nga dy milionë qytetarë, votuan vetëm 790 mijë veta, që përkthyer në përqindje ishte pak mbi 40%! Në të kundërt me shqiptarët, në zgjedhjet e datës 12 tetor për pushtetin vendor, në komunat me shumicë serbe, pati rritje të përqindjes së votuesve e të shanseve të Listës Serbe për më shumë përfaqësues të saj në strukturat e reja të pushtetit vendor! Pjesëmarrja e ulët në votime te ne shqiptarët ka rrjedhoja negative të shumta. Në fund të fundit, shumica e popullit ose do të gjejë te pushtetarët e ri mirëpritje e zgjidhje të problemeve dhe halleve, ose shurdhmemecëri e zhgënjim. Kështu, për një orë përtacëri nga shtëpia ose kafeneja te qendra e votimit, ndëshkohen jo pak po veta për 4 vjet të tërë. Edhe një “kujtesë”: nëse nuk i keni votuar qeverisjet e reja dhe pushtetarët e rinj, kur shkoni në zyrat e tyre dhe ju zhgënjejnë dhe torturojnë nga këmbët dhe nervat me orë pritje, kur jua zvarrisin me javë, muaj e vite zgjidhjen e problemeve, të vjetra e të reja, gjithsesi keni më pak të drejtë dhe arsye të shprehni pakënaqësi, vërejtje, ankesa dhe kritika, të drejtpërdrejta ose publike, se sa ata që i kanë votuar…!

Ndryshe nga sa ndodh e shprehet në “botën shqiptare” e nga ne shqiptarët, në SHBA, Kanada, vendet e zhvilluara të Perëndimit, ku ka POPUJ me nivel të lartë emancipimi demokratik dhe qytetar dhe standarde të larta zhvillimi të përgjithshëm zhvillimi, mirëqenieje, politike sociale…, përqindja e përgjithshme e votuesve ne zgjedhje është në rreth 70-90%. Shembull kuptimplotë dhe emancipues për ne janë zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit 2024 në SHBA, me pjesëmarrje të përgjithshme në votime rreth 75% si dhe zgjedhjet parlamentare të 23 shkurtit 2025 në Gjermani, me pjesëmarrja në votime 82.5%, më e larta që nga ribashkimi gjerman. Siç dihet, Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) konservator, i udhëhequr nga kandidati për kancelar Friedrich Merz dhe Unioni Kristian Social (CSU) i fitoi këto zgjedhje. Njëkohësisht, në këto zgjedhje u shënua rritje edhe nga e djathta ekstreme, nga AFD e nga “e majta” sidomos në lande të ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë (Gjermanisë Lindore). Është për t’u theksuar se në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit 2024 në SHBA, votuan për Donald Trump edhe rreth 5 milionë anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokrate, duke u ndjerë më së pari qytetarë! Edhe duke menduar mbi të gjitha për të mirën e tyre individuale e familjare dhe të Amerikës se sa për parti e kandidat të zemrës! Ndërsa tek ne, të votohet kundër partive, kryetarëve dhe kandidatëve të zemrës, “përkthehet” në shqip, interpretohet dhe ndëshkohet si herezi dhe “tradhti partiake e politike”!

Prandaj, për këto të mira të shumta e të përjetueshme, që ka përqindja e lartë e votuesve në vendet me demokraci të vërtetë dhe mirëqenie të lartë, kam mendimin se ka ardhur koha të bëhet edhe te ne, me ligj e gjobë, votimi i detyrueshëm. Natyrisht, jo me detyrimet dhe ndëshkimet absurde e antidemokratike të zgjedhjeve në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, kur me çdo kusht, mënyrë, formë…, pjesëmarrja në votime dhe vota pro, duhej të sillnin rezultatin përfundimtar, “fitoren plebishitare e historike”, në rreth 99.999%, të Frontit Demokratik dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë! Ata pak “të çmendur” që nuk votonin, i prisnin ose pavijonet në spitalet neuropsikiatrikë të Tiranës, Elbasanit, Vlorës… ose qelitë burgjeve, si “armiq të partisë e të pushtetit popullor”! Pra, edhe në këtë epokë të demokracisë, për të rritur ndjeshëm përqindjen e votuesve, kushdo që nuk e respekton të drejtën demokratike e qytetare të votimit të lirë dhe e djeg pa arsye të forta e të justifikueshme votën e tij, mund të ndëshkohet me gjobë, në shuma që ta ndjenjë mirë në xhep e mendje! Sipas një informacioni të përgatitur nga Simon Ulndreu, publikuar në Neutrale më 21.05.2023″… janë rreth 30 vende në mbarë botën në të cilat qytetarët që kanë të drejtë të votojnë janë subjekt i detyrimit ligjor për të votuar. Ato përfshijnë vende të mëdha si Brazili, Turqia, Egjipti, Australia, Italia, por edhe vende më të vogla si Belgjika, Greqia apo Luksemburgu… Në disa nga këto vende, në rastin më të keq, bojkotimi i vazhdueshëm i zgjedhjeve mund të ndëshkohet edhe me burg. Në Australi, votimi ka qenë i detyrueshëm për qytetarët që nga viti 1924… Nëse një australian qëndron larg qendrës së votimit për herë të parë, duhet të paguajë një gjobë prej 20 dollarësh. Australianët i janë përgjigjur pozitivisht votimit të detyrueshëm. Pjesëmarrja e votuesve nuk ka rënë më poshtë se 92 për qind që nga vitet 1960. Votuesit kundërshtues të këtij detyrimi, rreth 3% në këto vitet e fundit, marrin pjesë gjithashtu në zgjedhje, thjesht duke hedhur vota të pavlefshme e duke iu shmangur kështu ndëshkimit ligjor e monetar. Votimi ka qenë ligjërisht i detyrueshëm në Belgjikë që nga viti 1893. Personat me të drejtë vote që nuk marrin pjesë në zgjedhje mund të gjobiten deri në 50 euro.

Si rrjedhojë, pjesëmarrja në votime në Belgjikë është akoma rreth 90%… Zgjedhjet janë ende të detyrueshme me ligj në Luksemburg, por mosvotimi apo bojkotimi nuk është ndëshkuar me gjoba që nga viti 1964. Megjithatë, falë nivelit të lartë të emancipimit demokratik të popullit, pjesëmarrja në votime është mesatarisht në rreth 90- 95%…”. Pra, edhe partitë në parlamentet tona do të bënin mirë që ta fusnin në planet dhe agjendat e tyre të së ardhmes, jo të largët, për në “kalendat greke”, edhe këtë përvojë pozitive në këto vende, që prej një periudhe të gjatë kohore, është dëshmuar e suksesshme, shprehur dhe konkretizuar në përqindjet shumë të larta të pjesëmarrjes në votime për të dy llojet e qeverisjes, qendrore apo parlamentare dhe lokale apo vendore!

/Gazeta Panorama