Gjykata Kushtetuese i llogarit mandatet nga data e përfundimit të detyrës së parardhësve

Pasi Gjykata Kushtetuese u vendos në lëvizje nga kërkesa e Presidentit të Republikës për të interpretuar mbi deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtarëve të saj, vendosi të konsiderojë si fillim të mandatit të tyre datën e përfundimit të kohës së detyrës të përcaktuar për parardhësin, çka sjell si pasojë që këtë vit, veç vakancës së Holta Zaçajt, të shpallen të lira edhe pozicionet e anëtareve Sonila Bejtja dhe Elsa Toska.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të enjten më 16 tetor vendimmarrjen lidhur me një prej çështjeve të konstatuara në kërkesën e presidentit të Republikës, Bajram Begaj, me objekt deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, duke vendosur që anëtarëve aktualë, përgjatë regjimit tranzitor, t’u përllogaritet mandati 9-vjeçar që prej datës së mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ata zëvendësojnë. Kjo me qëllim mundësimin e përtëritjes së pjesshme të trupës së Gjykatës Kushtetuese sipas dispozitave kushtetuese të vitit 2016, në kuadër të Reformës në Drejtësi.
Begaj vuri në lëvizje Gjykatën Kushtetuese pasi duhej të niste procedurat për përzgjedhjen e një anëtari të ri të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që kjo e fundit nuk kishte shpallur vakancat. Më parë, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë mori vetë iniciativën duke deklaruar hapjen e garës për pozicionin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e cila mban edhe pozicionin e kryetares, çka krijoi polemika mes tyre dhe diskutime publike.
Gjykata bëri me dije se në kërkesën e paraqitur nga Presidenti në janar, ndonëse objekti ka të bëjë me deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, referuar shkaqeve të konstatuara në përmbajtje të kësaj kërkese, është çmuar se në thelb parashtrohet kërkimi që të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave në lidhje me mbarimin e mandatit të gjyqtarit kushtetues. Kjo me qëllim ushtrimin nga Presidenti, në cilësinë e organit të emërtesës, të kompetencës për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe interpretimin përfundimtar të normave kushtetuese që përcaktojnë kohëzgjatjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues.
Në vendimmarrjen e të enjtes, Gjykata çmon se për mandatet e gjyqtarëve kushtetues janë të zbatueshme dy parime kushtetuese: ai i përtëritjes së pjesshme të gjykatës çdo tre vjet me një të tretën e saj dhe ai i kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues. Në vijim, vlerëson se në interpretimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, përmes kësaj dispozite kushtetuese është synuar nga kushtetutëbërësi të rregullohet regjimi tranzitor i mandateve të gjyqtarëve kushtetues, të emëruar menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016.
Në pikën 3 të nenit 179 të Kushtetutës përcaktohet se: “Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025, dhe gjyqtari i ri që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit.”
Gjykata vlerëson se qëllimi i kësaj dispozite kushtetuese është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së saj. “Në vlerësimin e Gjykatës, parimi i përtëritjes së pjesshme për këta gjyqtarë mbizotëron në raport me parimin e kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues, duke vënë theksin se kohëzgjatja e këtyre mandateve si më sipër ka qenë e kufizuar në kohë që në krye të herës, pasi vetëm në këtë mënyrë dhe vetëm përmes këtij interpretimi do të garantohet qëllimi kryesor i dispozitës kalimtare, nenit 179, pika 3, të Kushtetutës,” arsyeton gjykata duke sjellë në vëmendje se të njëjtit qëllim i shërben edhe parashikimi i shprehur për përcaktimin e dy mandateve më të shkurtra se 9 vjet.
Në njoftim sillet në vëmendje fakti se në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” është përcaktuar skema kohore e përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilës përtëritja e parë me një të tretën bëhet në vitin 2025, përtëritja e dytë me një të tretën bëhet në vitin 2028 dhe përtëritja e tretë me një të tretën duhet të kryhet në vitin 2031.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese është ndarë në interpretimin e nenit 179, pika 3, duke vendosur me shumicë votash se fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, përgjatë këtij regjimi tranzitor, përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson.
Një pjesë e ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, tashmë të zëvendësuar, u larguan nga vetingu dhe për këtë arsye shpallja e vakancës së tyre është kryer para se t’u përfundonte mandati. Për këtë arsye, me qëllim mundësimin e përtëritjes së rregullt të trupës në vitin 2025, në 2028-ën dhe në vitin 2031, me tre anëtarë të rinj, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të konsiderojë si kohë të shpalljes së vakancës të gjyqtarëve të mëparshëm datën e mbarimit të mandatit të tyre 9-vjeçar.
Bazuar në këtë vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, në vitin 2025, veç përfundimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj, që u deklarua i përfunduar pas iniciativës së Gjykatës së Lartë, nisur nga përllogaritja e kohës së përfundimit të mandateve të gjyqtarëve të zëvendësuar nga ata aktualë, mbeten vakante edhe pozicionet e anëtareve Sonila Bejtja dhe Elsa Toska. Sipas të njëjtës formulë të përcaktuar të enjten nga Gjykata Kushtetuese, në vitin 2028 përfundon mandati i gjyqtarëve Marsida Xhaferllari, Fjona Papajorgji dhe Sandër Beci. Ndërsa në 2031-in përfundon mandati i tre anëtarëve të tjerë, Ilir Toska, Genti Ibrahimi dhe Marjana Semini.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur njëzëri se kompetenca për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues i përket Gjykatës Kushtetuese dhe vetëm pas kësaj organi i emërtesës ushtron kompetencën e tij të zgjedhjes së anëtarëve të rinj.
Çështja e kompetencës për deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese u inicua në dhjetor të vitit të kaluar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili shpalli hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë të anëtarit për vendin e Zaçajt. Sadushi këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe hapi procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit të saj duke shpallur vendin vakant. Ndërsa Zaçaj pretendoi se mandati përfundonte në fund të vitit 2025 dhe e akuzoi Gjykatën e Lartë për cenimin e sigurisë juridike të mandateve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e gjeti me shkelje njoftimin e kryer nga Gjykata e Lartë, e la në fuqi shpalljen e vakancës dhe me shumicë votash u vendos mbarimi i mandatit të Zaçajt më 10 mars 2025. Procesi për zëvendësimin e saj nuk po përmbyllet, pasi u kundërshtua në rrugë gjyqësore vendimmarrja e Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, nga ana e kandidates Naureda Llagami, e cila konteston rezultatin e votimit.
Po njëzëri është vendosur të shqyrtohet veçmas kërkimi i Presidentit për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit, që pritet të trajtohet në vijim.