Rivaliteti Buta–Mossi ndizet sërish, dissi: 62 këngë në vit, por asnjërën hit
Buta, po e përjeton një nga periudhat më intensive dhe produktive të karrierës së tij muzikore. Me një stil që ndërthur elegancën me rrugën dhe tekstet e mprehta me melodi të kujdesshme, ai ka arritur të mbajë një ritëm që pak artistë të tjerë në tregun shqiptar mund ta ndjekin.
Nga janari deri në tetor 2025, Buta ka sjellë plot 62 këngë, përfshirë këtu projekte solo, bashkëpunime me emra të njohur të skenës dhe katër albume të plota, mes të cilëve spikat “Koleksioni 17-24”.
Stili i tij i veçantë, që kombinon luksin me realitetin e përditshëm dhe ironinë me vetëbesimin, e ka bërë Butën një nga figurat më të dallueshme të hip hopit shqiptar. Megjithatë, puna e tij e pandalshme nuk ka kaluar pa komente. Reperi Mossi, me të cilin Buta ka pasur më parë përplasje virtuale, i ka hedhur një thumb ironik përmes një postimi në InstaStory, ku shkruante:
“62 këngë në vit por asnjërën hit.”
Ky koment u interpretua menjëherë nga ndjekësit si një provokim i drejtpërdrejtë ndaj Butës, duke rikthyer në qendër të vëmendjes rivalitetin e njohur mes dy artistëve. Të dy kanë pasur më parë përplasje në rrjete sociale dhe nëpër tekste, duke krijuar një dinamikë që ndjekësit e hip hopit shqiptar e kanë përjetuar si një duel artistik.