United “hedh sytë” nga Retegui, bomberi italian në krye të listës së teknikut Amorim
Manchester United ka hedhur sytë nga sulmuesi i kombëtares italiane Mateo Retegui, teksa kriza në repartin ofensiv po bëhet gjithnjë e më e dukshme në fillim të sezonit.
Nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim, “Djajtë e Kuq” kanë shënuar vetëm nëntë gola në shtatë ndeshjet e para të kampionatit – një bilanc i dobët për një ekip me pretendime të larta.
Edhe pse gjatë verës u afrua Benjamin Sesko nga Leipzig, lojtari është ende në fazë përshtatjeje me Premier League. Në të njëjtën kohë, Rasmus Hojlund është në huazim te Napoli, ndërsa Joshua Zirkzee pritet të largohet. Kjo ka lënë Amorimin me shumë pak alternativa në sulm.
Kjo situatë ka shtyrë klubin të shohë nga tregu, ku emri më i përfolur është ai i Mateo Retegui. 26-vjeçari aktualisht luan në Arabinë Saudite me Al-Qadsiah, por ka shkëlqyer më parë me Atalantën, ku shënoi 28 gola në një sezon të vetëm.
Retegui ka treguar formë të mirë edhe me kombëtaren italiane, ku ka realizuar 11 gola në 24 ndeshje, përfshirë disa finalizime të rëndësishme në kualifikueset për Kupën e Botës.
Raportohet se Manchester United është gati të ofrojë deri në 52 milionë paund për kartonin e tij, ndërsa vetë lojtari shihet si një përforcim i duhur për të sjellë gola, eksperiencë dhe konkurrencë në ofensivën e “Djajve të Kuq”.
© BalkanWeb