Jennifer Lopez rrëfen dhimbjen pas ndarjes: “Më dhanë gjithçka, por jo dashuri”
Edhe pse ka pasur marrëdhënie të bujshme dhe është dashuruar me emra të njohur, Jennifer Lopez pranon se asnjë nga partnerët e saj nuk arriti t’i japë dashurinë që ajo kërkonte thellë në zemër. Në një intervistë të ndjerë me Howard Stern, këngëtarja dhe aktorja 55-vjeçare tha se ka dashuruar shumë në jetë, por nuk është ndjerë kurrë e dashuruar në mënyrë të vërtetë nga të tjerët.
“Kur më pyetën nëse ndonjëherë më kanë dashur, thashë jo. Kam dashur, por nuk e kam marrë kurrë mbrapsht,” tha ajo me sinqeritet. Lopez u shpreh se me kalimin e kohës kuptoi që problemi nuk ishte ajo, por fakti që shumë nga partnerët e saj nuk ishin në gjendje të donin, sepse nuk e donin veten e tyre.
“Ma dhanë gjithçka: unaza, shtëpi, martesë… por jo dashuri. Dhe e kuptova se as unë nuk e doja plotësisht veten,” pranoi ajo. E njohur për baladat romantike, J.Lo tha se pothuajse të gjitha këngët e saj flasin për kërkimin e dashurisë së vërtetë.
Pas ndarjes nga Ben Affleck në vitin 2024, me të cilin ishte martuar dy vite më parë, artistja duket se është përqendruar te vetja. “Është një udhëtim i vështirë, por mëson se dashuria e vërtetë nis nga brenda,” përfundoi ajo.