Fqinjët e reperit amerikan D4vd pretendojnë se e kanë parë atë me një vajzë adoleshente që u gjet e vdekur në makinën e tij
Hetimet për vdekjen tragjike të Celeste Rivas, 15 vjeçe, po thellohen, ndërsa detaje të reja kanë dalë në dritë. Trupi i vajzës u gjet në bagazhin e një makine Tesla, në pronësi të këngëtarit D4vd (David Anthony Burke), në një shërbim rimorkimi në Hollywood.
Sipas dokumenteve të siguruara nga The US Sun, policia ishte në banesën e këngëtarit në Los Angeles dy muaj para zbulimit të trupit, pas një telefonate për “shqetësim publik” për shkak të muzikës me zë të lartë. Patrulla mbërriti me vonesë, kur situata ishte qetësuar.
Një ish-fqinj deklaroi se D4vd dhe Celeste shiheshin shpesh bashkë, por ishin të tërhequr dhe nuk komunikonin shumë me të tjerët. Ai shtoi se kishte vënë re Tesla-n e këngëtarit të parkuar shpesh përpara shtëpisë.
Celeste u raportua e zhdukur në prill 2024, kur ishte vetëm 13 vjeç. Ende nuk është përcaktuar se kur dhe si vdiq, por autoritetet besojnë se trupi kishte kohë në automjet. Deri tani, nuk ka të dyshuar zyrtarë.
Policia konfirmon se nuk ka ende një përfundim ligjor mbi shkakun apo mënyrën e vdekjes dhe se këngëtari po bashkëpunon me hetimet, ndonëse është aktualisht në turne.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha dhe pritet që hetimet të zbulojnë më shumë në ditët në vijim.