Genta Ismajli ndalon projektet për shkak të problemeve shëndetësore
Këngëtarja e njohur shqiptare, Genta Ismajli, ka ndarë me publikun një rrëfim të sinqertë dhe të ndjeshëm për gjendjen e saj shëndetësore, e cila po e pengon të rikthehet në skenë me projekte të reja.
Në një intervistë për emisionin “Weekend” në Klan Kosova, Genta tregoi se po vuan nga një problem serioz në qafë, i cili është pasojë e viteve të shumta të performancave energjike në skenë.
“Kam pasur një lëndim në qafë prej vitesh për shkak të vallëzimeve të shumta që kam bërë në koncerte. Kam bërë trajtime, por fatkeqësisht nuk kanë dhënë rezultatet që prisja,” – rrëfeu këngëtarja.
Situata, sipas saj, është përkeqësuar pikërisht në momentin kur kishte nisur përgatitjet për rikthimin e saj artistik.
“Mendova se isha shëruar dhe nisa stërvitjet për skenë, por gjatë provave me valltarët, qafa më është lënduar sërish. Për këtë arsye vendosa të anuloj videoklipin që po përgatisja,” – shtoi ajo me keqardhje.
E prekur emocionalisht, Genta pranoi se mungesa në skenë e ka prekur shumë shpirtërisht, pasi vallëzimi dhe performanca janë pjesë e pandashme e identitetit të saj.
“Kam pasion vallëzimin, dhe ndjehem shumë keq që nuk mund ta bëj si më parë,” – u shpreh ajo.
Pavarësisht vështirësive, fansat e këngëtares shpresojnë që Genta Ismajli të rikuperohet plotësisht dhe të rikthehet me energjinë dhe karizmën që e kanë bërë një nga artistet më të dashura të muzikës shqiptare.