Humbje e madhe në botën e humorit: Ndërron jetë komediani Steve Bridges
Një nga emrat më të dashur të humorit amerikan në rrjetet sociale, Steve Bridges, ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare. Lajmin e trishtë e konfirmoi bashkëshortja e tij, Chelsey, përmes një videoje emocionale të postuar në TikTok, ku Bridges kishte mbledhur mbi 2 milionë ndjekës falë skeçeve të tij të veçanta dhe stilit origjinal në video të shkurtra komike.
Chelsey bëri të ditur se ai ndërroi jetë më 15 tetor, “i qetë në gjumë”, teksa po pushonte në divan në shtëpinë e tyre në Peoria, Illinois. Policia lokale ka konfirmuar se vdekja e tij ka qenë natyrale. “Ajo që shihnit në internet ishin vetëm personazhet që ai krijonte… Në të vërtetë, ai ishte babai më i dashur dhe bashkëshorti më i mirë,” u shpreh ajo mes lotësh.
Në përshkrimin e videos, ajo shtoi: “Ai me të vërtetë ka ikur. Nuk ishte thjesht një personazh i rrjeteve sociale, por një njeri familjar që jetonte për t’i bërë të tjerët të qeshnin.”
Bridges njihej për videot e tij në stilin POV dhe karakteret e shumta që krijonte, duke ofruar humor të pastër dhe të ndjeshëm. Vdekja e tij ka lënë një boshllëk të thellë jo vetëm në familjen e tij, por edhe në komunitetin online që e adhuronte.
Fansat në rrjet po ndajnë mesazhe ngushëllimi dhe mirënjohjeje për ndikimin që ai pati në jetët e tyre.