Taylor Swift dhuron 100,000 dollarë për një vajzë dy vjeçe të sëmurë me kancer
Këngëtarja e njohur Taylor Swift ka prekur zemrat e fansave me një veprim të jashtëzakonshëm human. Ajo ka dhuruar 100 mijë dollarë për trajtimin e një vajze dyvjeçare, Lilah, e cila po përballet me një formë agresive të kancerit në fazën e katërt. Dhurimi u bë në platformën GoFundMe, ku familja e vajzës kishte hapur një fushatë për të mbuluar shpenzimet mjekësore.
Veprimi i Swift erdhi pasi në rrjetet sociale u shpërnda një video prekëse, ku Lilah, duke parë një nga klipet muzikore të artistes, thoshte me entuziazëm: “Ajo është mikja ime!” Kjo shprehje e pafajshme dhe e sinqertë preku këngëtaren, e cila e shoqëroi dhurimin me një mesazh të ndjerë: “Po i dërgoj një përqafim të madh mikes sime, Lilah!”
Pas këtij gjesti, mijëra fansa të Swift, të njohur si “Swifties”, kontribuan gjithashtu në fushatë me donacione simbolike prej 13 dollarësh, një numër që ka një rëndësi të veçantë për këngëtaren.
Në anën tjetër, Swift po shënon edhe suksese të mëdha muzikore. Albumi i saj i fundit, The Life of a Showgirl, ka thyer rekorde në SHBA, duke shitur mbi 4 milionë kopje në vetëm një javë. Ky sukses e ka çuar atë në majat e Billboard 200 me 15 albume në vendin e parë, më shumë se çdo artist tjetër solo në histori.