Sun, Oct 19, 2025

Prishtina vazhdon serinë e fitoreve, Ballkani rikthehet te triumfi, Ferizaj merr një pikë në Podujevë

  • PublishedOctober 19, 2025

Prishtina vazhdon serinë e fitoreve, Ballkani rikthehet te triumfi, Ferizaj merr një pikë në Podujevë

Xhiroja e nëntë e AlbiMall Superligës së Kosovës solli të dielën tri ndeshje jashtëzakonisht interesante, e ku nuk munguat golat e shumtë. Kryesuesja e renditjes, Prishtina, regjistroi fitoren e radhës si mysafire, Ballkani u rikthye te suksesi, derisa Llapi u ndal me barazim në shtëpi.

Prishtina shënoi fitore dramatike ndaj Drenicës, me rezultat 4:3 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Skuadra e trajnerit Arsim Thaqi e nisi ndeshjen furishëm, duke realizuar katër gola brenda 47 minutave, por në fund u detyrua të luftojë fort për t’i siguruar tri pikët.

Golin e parë për kryeqytetasit e shënoi Hamdi Namani në minutën e 3-të, ndërsa epërsinë e dyfishoi Valmir Veliu në minutën e 16-të. Dren Zeqiri shënoi për 3:0 në minutën e 37-të, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Në fillim të pjesës së dytë, saktësisht në minutën e 47-të, Veliu realizoi golin e dytë personal për 4:0.

Megjithatë, Drenica e trajnerit Bylbyl Sokoli nuk u dorëzua. Brenda pak minutash, vendasit shënuan dy gola: Genc Hamiti në minutën e 52-të dhe Jeton Krasniqi në minutën e 54-t. Në fund, Igball Jashari realizoi nga penalltia në minutën e 89-të, duke e ngushtuar rezultatin në 4:3.

Skuadra e Ballkanit, u rikthye te fitorja pas disfatës në Prishtinë xhiron e kaluar, duke e mposhtur Dukagjinin, me rezultat 2:0 në ndeshjen e luajtur në Suharekë.

Almir Kryeziu realizoi golin e parë në minutën e 53-të, ndërsa avantazhin e dyfishoi një autogol i portierit të Dukagjinit, Cyrus Margono, në minutën e 75-të.

Në Podujevë, Llapi është ndalur me barazim 1:1 nga Ferizaj, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Muhamet Hyseni kaloi llapjanët në epërsi në minutën e 61-të, por Betim Haxhimusa barazoi për Ferizajn në minutën e 68-të, duke siguruar një pikë të vlefshme për mysafirët.

Pas xhiros së nëntë, Prishtina kryeson me 22 pikë, e ndjekur nga Ballkani me 18, Dukagjini e Drita me 14. Në mesin e tabelës janë Drenica, me 11 pikë e Llapi që mban pozitën e gjashtë me 10 pikë, sa kanë edhe Malisheva, Gjilani dhe Ferizaj, ndërsa në fund renditet Prishtina e Re me 7 pikë.

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net