Dhunuan Klea Prengën, Gjykata e Tiranës shpall vendimin për motrat Berisha
Gjykata e Tiranës ka dhënë ditën e sotme vendimin për motrat Mariela Berisha dhe Antonela Berisha, të akuzuara për dhunën e ushtruar ndaj blogeres Klea Prenga në gusht të vitit 2024.
Sipas vendimit të dhënë, Gjykata e Tiranës dënoi me 3 vite burg Mariela Berishën, vendim i cili zbriti në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa për Antonela Berishën u caktua 3 vite shërbim prove, masë që zbriti në 2 vite nga gjykimi i shkurtuar.
Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi në një restorant në Tiranë, ku Klea Prenga po darkonte. Ajo u sulmua fizikisht dhe u godit me sende të forta nga motrat Berisha, për motive ende të paqarta por të cilësuara si banale.
Pas incidentit, Mariela dhe Antonela Berisha u shpallën në kërkim nga policia. Ato qëndruan të fshehura për rreth dy muaj, derisa u vetëdorëzuan në polici për të përballuar drejtësinë.
Ngjarja ndezi reagime të shumta në rrjetet sociale dhe u dënua nga opinioni publik, veçanërisht për dhunën e ushtruar ndaj një figure publike si Klea Prenga.
Aktualisht, pritet që të përfundojnë procedurat ligjore për ekzekutimin e vendimeve, ndërsa nuk ka ende një reagim zyrtar nga vetë Klea Prenga apo përfaqësuesit e saj ligjorë.