Mon, Oct 20, 2025

Humbi për 1 votë të drejtën për mandat në Kushtetuese, caktohet data për shqyrtimin e kërkesës së Naureda Llagamit

  • PublishedOctober 20, 2025

Humbi për 1 votë të drejtën për mandat në Kushtetuese, caktohet data për shqyrtimin e kërkesës së Naureda Llagamit

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 11 nëntor 2025 për të shqyrtuar kërkesën e depozituar nga Naureda Llagami, e cila konteston vendimin e Gjykatës së Lartë për emërimin e Asim Vokshit si anëtar i ri i Kushtetueses.

Llagami ishte një nga tre kandidatët që garonin për postin vakant në Gjykatën Kushtetuese, për të pasuar Holta Zaçajn.

Në votimin e zhvilluar më 30 shtator, Llagami mori 8 vota, Asim Vokshi 6, ndërsa kandidati i tretë, Florian Ballhysa, nuk mori asnjë votë. Një votë u shpall e pavlefshme.

Për të fituar garën, një kandidat duhet të sigurojë të paktën 3/5 e votave të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por asnjëri prej kandidatëve nuk arriti këtë kuorum.

Si rrjedhojë, sipas rregullores, u emërua kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), pra Asim Vokshi, me 89.5 pikë.

Llagami ka depozituar një kërkesë pranë Kushtetueses, ku shpreh dyshime mbi vlefshmërinë e procesit, duke pretenduar se vota e 9-të u shpall e pavlefshme qëllimisht, çka e privoi nga mundësia për të fituar postin me shumicë të cilësuar votash.