“Më mirë të mos ngremë monument, ne s’i mbajmë gjatë!”- Rama batuta me ish-kreun e Komisionit të Venecias: Durim heroik për të lundruar në ‘dallgët’ e politikës shqiptare
Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen e thellë për Gianni Buquicchio, ish-kryetarin e Komisionit të Venecias, për durimin dhe përpjekjet e tij gjatë bashkëpunimit me Shqipërinë.
Kryeministri theksoi sfidat e mëdha që Buquicchio ka përballuar duke lundruar në “dallgët” e politikës shqiptare dhe duke kërkuar një ekuilibër mes shumë ekstremeve politike.
Ai shtoi se, megjithëse shqiptarët nuk kanë një marrëdhënie të gjatë me monumentet, Buquicchio meriton të ketë një monument përkushtimi në kujtesën e atyre që kanë punuar në Komisionin e Venecias.
Rama: E kam të pamundur të mos e mbyll me një falënderim për Gianni Buquicchio për durimin që ka pasur. Durim që merr tipar heroik, po të mendosh që Gianni është italian dhe që tregon sa nevoje ka për durim kur ke të bësh me ne shqiptarët edhe pse mund të jesh italian që nuk je pjese e një kombi që nuk shquhet për virtytin e durimit. Për të gjitha atë durim dhe përpjekje për të lundruar në dallgët e politikës shqiptare dhe për të gjetur pikën e ekuilibrit mes shumë ekstremeve që të është dashur të ballafaqohesh, unë të jam shumë mirënjohës. Nuk ka pikë dyshimi që nëse Shqipëria nuk do të dedikojë një monument dhe më mirë mos ta dedikojë se ne me monumentet kemi një raport jo shumë afat gjatë, ti meriton një monument në kujtesën e atyre që kanë punuar ne komisionin e Venecias.