Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Fejzi Hajdari: Shqiptarët i dhanë Ali Ahmetit përgjigjen e merituar! Votuesit i treguan se ka humbur betejën në bastionin më të madh të BDI
Analisti politolog Fejzi Hajdari, ka komentuar zhvillimet pas zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ku rezultati në disa komuna me shumicë shqiptare ka sjellë humbje të ndjeshme për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).
Sipas Hajdarit, shqiptarët i dhanë një mesazh të qartë jo vetëm Ali Ahmetit, por edhe kryeministrit Edi Rama, përmes votës së tyre.
“Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë ia dhanë atë përgjigjen e merituar jo vetëm Edi Ramës, por edhe Ali Ahmetit. Beteja kryesore për Ahmetin ishte në Çair, bastion i dikurshëm i BDI-së, dhe rezultati atje ishte një mesazh i fortë,” deklaroi Hajdari në intervistën e tij për Syri TV.
Ai e cilësoi humbjen në Çair, një nga komunat me përqindjen më të lartë të shqiptarëve në Shkup, si një goditje simbolike për BDI-në dhe fundin e një epoke politike.
“Kjo është edhe përgjigjja për ata që u mblodhën në Tiranë dhe për ata që u bashkuan më pas me këtë linjë politike,” shtoi analisti.
Hajdari nuk kurseu kritikat ndaj mënyrës se si, sipas tij, Ahmeti ka kërkuar shpëtim politik përmes mbështetjes nga jashtë, përfshirë kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe figura të opozitës në Prishtinë.
“Ali Ahmeti kërkoi shpëtim nga Edi Rama dhe bashkëmendimtarët e tij në Kosovë, ndërsa disa media të financuara nga burime të dyshimta përpiqen të paraqesin Kurtin dhe koalicionin VLEN si të nënshtruar ndaj serbëve në Kosovë dhe maqedonasve në Maqedoni. Por vota e shqiptarëve tregoi krejt të kundërtën,” përfundoi Hajdari.
Fejzi Hajdari: Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë ia dhanë atë përgjigjen e merituar jo vetëm Edi Ramës, por edhe Ali Ahmetit. Betejën kryesore Ali Ahmeti e kishte këtu në Çair, në njërën nga komunat e Shkupit ku ka më së shumti shqiptarë, dhe aty ishte simbolika, por edhe njëherazi mesazhi i fundit për Ali Ahmetin se ka humbur betejën në bastionin më të madh të BDI-së dikur, në Çair, dhe kjo ishte edhe përgjigjja për ata që u mblodhën në Tiranë dhe për ata këtu që shkuan për t’u bashkangjitur.
Ali Ahmeti kërkoi shpëtim nga Edi Rama dhe bashkëmendimtarët e tij, që janë opozita e Prishtinës dhe ato media që sponsorizohen nga kanale dhe para të dyshimta, dhe vazhdimisht tentojnë që kryeministrin Kurti dhe një parti të koalicionit VLEN t’i paraqesin si subjekte politike të cilat i janë nënshtruar atje në Kosovë serbëve dhe këtu në Maqedoni maqedonasve.
Por ja që vota e qytetarëve shqiptarë tregoi diçka krejtësisht tjetër.