Tue, Oct 21, 2025

A mund të vetëpërmirësohet shoqëria jonë?

  • PublishedOctober 21, 2025

A mund të vetëpërmirësohet shoqëria jonë?

NGA GËZIM TUSHI GËZIM TUSHI

Ka një shqetësim social në zgjerim, që shfaqet në shqetësimin e përbashkët të shoqërisë shqiptare, që shoqërohet me pyetjet, shpesh me natyrë empirike, por edhe metafizike e ekzistenciale, lidhur me problemet, sfidat, patologjitë, kontradiktat, anomalitë që po pëson jeta e përbashkët shoqërore, të shfaqura në mënyrë evidente në stilin e jetës, mënyrat e ndërtimit të marrëdhënieve sociale dhe zbehjen e funksioneve të institucioneve kryesore të shoqërisë. Situata është padyshim shumë shqetësuese. Një shoqëri e përfshirë nga të gjitha llojet e kontradiktave dhe konflikteve serioze e banale, esenciale dhe periferike. Të shfaqura në formën e dhunës në politikë dhe jetën civile, në institucionet themelore, në familje e jashtë saj, në shkollë dhe kudo. Akoma më keq është zgjerimi i formave të kriminalitetit për çështje pronësore apo pasurore, për arsye morale dhe interesa materiale. Një agresivitet dhe kriminalitet i shtrirë si “limfë sociale” në të gjithë aulat e jetës. E përhapur në gjerësi, e shtrirë me intensitet, e “demokratizuar” (Ferid Zakaria).

Të ndodhur përballë kësaj situate të koklavitur, në shoqërinë tonë janë shtuar pyetjet ekzistenciale dhe është në zgjerim skepticizmi i njerëzve që pyesin: Pse kjo situatë sociale dhe a mund të rregullohet ajo? Ky është një problem i madh, që herë në mënyrë racionale e të sistemuar teorikisht dhe herë si shqetësim empirik në nivelin e qytetarit, duhet vënë në shtratin e diskutimit publik për të bërë diagnostikimet e duhura, për të gjetur zgjidhjet dhe “terapitë” adekuate. Është universale dhe aktuale teza e njohur e sociologut Cornelius Castoriadis, se “shoqëria është e sëmurë kur pushon së diskutuari për shëndetin e vetes”. Koha që jetojmë dhe problemet me të cilat po përballemi kërkon jo të sillemi si vëzhgues, por të hyjmë brenda saj. Mbase për shkak të profesionit tim, por edhe të prezantimit të ideve sociale në shkrimet e mia në gazetën “Panorama”, në mediat sociale dhe takime publike me strukturat e jetës sociale, më në fund njerëzit me të cilët komunikoj dhe dialogoj, me sy dyshues të pyesin: Ku po shkon shoqëria jonë dhe a ka ndonjë mundësi të rregullohet ajo?

Padyshim, nëse gjërat i shikojmë në mënyrë të sipërfaqshme, pa analizuar shkaqet e kësaj situate, gravitetin e arsyeve kontekstuale të lidhura me realitetet tona historike, veçoritë specifike dhe unike të tranzicionit tonë, duke vlerësuar në mënyrë të nxituar apo të gabuar tipologjinë dhe nomenklaturën e fenomeneve sociale që kanë sjellë këtë skepticizëm social, të krijohet përshtypja, e cila për fat të keq ka marrë një natyrë gati pandemike e disfatiste, sipas së cilës ndodhemi në situatën kur po përballemi me një “shoqëri me frena të lëshuara”, e cila duke qenë me tepri shoqëri konkurruese është pa bashkëpunim, humanizëm e solidaritet. Padyshim, për të gjykuar për shkaqet dhe rrugët e përmirësimit të shoqërisë dhe jetës sociale, së pari duhet kuptuar thelbi i shoqërisë në të cilën jetojmë, dialektikën dhe metafizikën, esencën dhe kuintesencën e saj, sepse ajo tashmë është tërësisht moderne, e cila sikurse thonë sociologët e modernitetit, “është shoqëri e luhatjeve të shpeshta dhe e paparashikueshme në çdo gjë”. Kjo është arsyeja se problemi i vlerësimit të natyrës, zhvillimeve dinamike të shoqërisë është kompleks, dhe duhet trajtuar si i tillë, në mënyrë komplekse dhe me të gjithë përbërësit e jetës sociale që kanë sjellë këtë situatë, sepse sikurse shprehet sociologu i shquar Zigmunt Bauman, “…shoqëria është rrënjë e gjithçkaje njerëzore dhe gjithçka njerëzore vjen në ekzistencë me anë të të mësuarit në shoqëri”. Z Bauman “Moderniteti i lëngët”, f 296. Padyshim, koha që jetojmë, “momentumi socal” është i tillë, që kjo pyetje të duket krejt normale, aspak paradoksale.

Është përgjithësisht dhe universalisht në natyrën e shoqërisë moderne, që ajo të duket dhe të jetë e ndërlikuar dhe në thelb është “shkaku i parë” që ka sjellë këtë shoqëri likuide, të rrëshqitshme, të pastabilizuar, për pasojë edhe njeriun e shqetësuar dhe të çorientuar. Ka shumë ngjarje, fenomene sociale, dukuri empirike në jetën tonë të përditshme, paqartësi e anomali në lidhjet de marrëdhëniet njerëzore, në funksionalitetin e institucioneve themelore të marrëdhënieve individuale e lidhjeve sociale që vërtetojnë në mënyrë të padyshimtë se shoqëria shqiptare po kalon një periudhë krize e paqartësish në funksionimin e saj. Ato janë shkaqe të sinkretizuara me natyrë endemike, duke u shfaqur në sintezë edhe si ezoterike dhe ekzoterike (të brendshme dhe të jashtme), individuale e sociale, me natyrë fizike dhe metafizike. Nuk duhet ndonjë stratagjemë e ndërlikuar filozofike apo sociologjike, për të kuptuar dhe pranuar faktin që shoqërisë shqiptare i janë tronditur thellë, ndoshta edhe ekzistencialisht kornizat themelore të funksionimit normal të institucioneve të jetës sociale, “parimet boshtore” humane dhe etike. Doemos kjo ka sjellë zgjerim të ndjenjës së pasigurisë e cila është një sindromë e përhapur, e cila sipas filozofit Henry Bergson “e bën jetën e njeriut si një film të pazhvilluar”. H Bergson, “Mendimi dhe lëvizja”, f. 176. Kjo është arsyeja pse vështirësitë për rregullimet e duhura të funksionalitetit social janë bërë të vështira dhe në të njëjtën kohë ky është shkaku themelor i shfaqjes së njeriut skeptik, të demoralizuar, mosbesues se shoqëria mund të rregullohet, të bëhet më humane e sociale. Historikisht kjo situatë gjithnjë është evidente, e pranishme, ndikuese kur shoqëritë janë përfshirë nga “dallgët e çorientimit” social. Në biseda me qytetarët, skepticizmi për situatën e shoqërisë shfaqet në natyrën e shumë njerëzve, të cilët ndihen të kapluar nga pesimizmi social, të ndodhur në gjendje amullie e paqartësie, që vjen pikërisht nga ekzistenca në zgjerim e situatës së çorientimit social. Njeriu, performanca individuale duket sikur zhvillohen në “teatrin” e shoqërie të sfilitur, që ka përballë njeriun e rraskapitur, që është i rrethuar herë nga ekzibicione banale, apo duke u nanurisur me kënaqësitë monotone, që kjo shoqëri i sjell me bollëk në të gjithë hapësirën reale e virtuale.

Zakonisht kur njerëzit flasin për performancën e shoqërisë tonë apo analizojnë anomalitë patologjike të saj, përdorin kritikën “en block” për shoqërinë, duke e parë atë si një entitet social total, të izoluar brenda vetes, të izoluar në vetvete. Duke e parë problemin kështu, në mënyrë eterike, pa kuptuar ndikimin e diferencuar të elementëve të saj, nuk i gjen mjetet e duhura dhe rrugën për ta rregulluar këtë situatë. Shoqëria nuk është “epifenomen abstrakt” apo koncept totalizues. Ajo është e përbërë strukturalisht nga institucionet e saj themelore. Në këtë kontekst, gjërat duhet t’i shikojmë strukturalisht te problemet që kanë institucionet që e përbëjnë atë. Themelore është që vëmendja dhe shqetësimi politikanëve, sociologëve, intelektualëve, shkrimtarëve, e sidomos e qytetarëve të përqendrohet pikërisht në analizën e problemeve që kanë institucione të tilla me rëndësi sociale fondamentale sikurse janë familja, shkolla, shoqëria, familja, martesa, jeta komunitare e shoqëria civile, institucionet fetare dhe strukturat e tjera të parandalimit apo edhe të ndëshkimit. Në mënyrë sintetike cilësia e funksionimit të tyre është kushti ekzistencial më i rëndësishëm dhe ndoshta i vetmi që ka ndikim në përmirësimin e situatës sociale, zbutjen e patologjive, garantimin e shëndetit funksional të shoqërisë. Ky është fokusi ku duhet të përqendrohet vëmendja sociale e shoqërisë, kjo është fusha e madhe e betejës, jo skepticizmi mekanik dhe eterik individual, apo një lloj kriticizmi en block, që nuk jep asnjë produkt pozitiv. Përkundrazi, ndikon në errësimin artificial të situatës largimin e gjetjes së rrugëve të duhura të përmirësimit të performancës sociale të shoqërisë shqiptare. Nuk e ndihmojnë këtë betejë, njerëzit skeptikë e kriticistët fizikë apo metafizikë të situatës dhe problemeve me të cilat ndeshet shoqëria. Duhet ndarë përgjegjësia sociale që ka të bëjë me të metat e natyrës së shoqërisë postmoderne turbokapitaliste, nga përgjegjësitë individuale, apo anatemimet subjektive për shkak të mungesës, aftësisë apo paqartësive konceptuale të njeriut skeptik. Ky skepticizëm dhe pesimizmi individual, shumë herë artificial, synon rrënimin e energjive individuale e sociale.

Sindroma qarkulluese se jetojmë në një “shoqëri të keqe” apo të shthurur nga ana sociale, duhet shoqëruar më përballjen e dhunës së përhapur, konfliktet serioze dhe banale, krimin e intensifikuar, egoizmin e shfrenuar dhe zilinë paralizuese, që ndikojnë në shfaqjen e cinizmit dhe pesimizmit, paralizimin e vullnetit dhe energjive, besimin se është e mundur që shëndeti i shoqërisë mund të rregullohet dhe performanca sociale e saj mund të bëhet më e mirë. Por me një kusht: duhet të pranojmë se jemi në momente kur shoqëria shqiptare ka nevoja, që tashmë janë bërë “ulëritëse”, për më shumë humanizëm, komunikim social, forcim të institucioneve të jetës dhe sigurisë morale, për më shumë solidaritet dhe socialitet, si format të natyrshme të ekzistencës njerëzore. Është aktuale paradigma sintetike e filozofit Jurgen Habermas, se shoqëria nuk mund të normalizohet, nëse vazhdon procesi degradues që sjell në mënyrë progresive zbehjen, madje humben e “bërthamës sociale” e njeriut, që nuk di të ndërtojë realacionet sociale, të sigurojë lidhjet humane.

/Gazeta Panorama